Gazetarja Klodiana Lala thotë se policia përdori për herë të parë pajisjen IMSI Catcher për të arrestuar Artan Tafani, i cili tashmë është bërë bashkëpunëtor i drejtësisë dhe zbuloi grupin e vrasësve të Laert Haxhiut.
Lala tha se Artan Tafani u arrestua të shtunën në një hotel në zonën e Lushnjes.
“Për herë të parë policia shqiptare përdori IMSI Catcher për ta identifikuar dhe e identifikoi në një hotel në zonën e Lushnjes. Nga ky moment u shoqërua dhe u vu përpara faktit që ishte i dyshuari kryesor për vrasjen e Alban Semakut që dikur ka qenë pjesë e bandës së Aldo Bares”.
Sipas Klodiana Lalës, Artan Tafani pranoi të bashkëpunonte me drejtësinë dhe ka rrëfyer rreth 20 vrasje, nga të cilat 6 janë zbardhur dhe janë me autorësi. Ndërsa të tjera janë në fazë verifikimi.
“Fillimisht i kundërshtoi, por kur prokurorët i vunë një pamje filmike ku e kishte marrë viktimën në shtëpinë e vetë, pra e kishte pritur përjashta dhe e kishte shoqëruar në drejtim të Peqinit ku i gjet i vrarë, pranoi të bashkëpunonte dhe në fakt ka rrëfyer jo vetëm 6 vrasje që mendohet se janë zbardhur. Ka rrëfyer shumë, 6 janë me autorësi dhe disa atentate te tjera. Po ka rrëfyer të paktën te rreth 20 vrasje për të cilat është duke u punuar. Ka dijeni për disa prej tyre”, tha Lala në emisionin ‘Opinion’.
Laert Haxhiu konsiderohet kreu i grupit të vrasësve dhe policia arrestoi sot 12 persona, ndërsa 4 të tjerë janë në kërkim.