Ndryshim epokal në botën e futbollit. Për herë të parë në histori, një finale ndërkombëtare ndërmjet skuadrave të meshkujve do të drejtohet nga një arbitre femër.
UEFA vendosi që finalen e Superkupës së Europës, ndërmjet Liverpool-it dhe Chelsea-t, t’ia besojë Stéphanie Frappart.
Derbi anglez, ku fituesit e Champions-it sfidojnë ata të Europa League, do të luhet më 14 gusht në stadiumin “Beshiktash Park” të Stambollit.
Gjatë muajit qershor, arbitrja franceze kishte fatin të drejtonte edhe finalen e Kupës së Botës për femra, ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Holandës. 35-vjeçarja do të jetë në krye të një katërshe gjyqtaresh femra, duke sjellë një risi absolute në futbollin modern.