Politika Për herë të parë në një darkë bashkë me Kurtin dhe Vuçiç,...

Për herë të parë në një darkë bashkë me Kurtin dhe Vuçiç, Rama tregon çfarë ndodhi

Të dielën në mbrëmje ka pasur një darkë pune mes liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesve të lartë të administratës amerikane dhe BE-së.

Kryeministri Edi Rama në një konferencë për shtyp pohoi se për herë të parë ishte në një darkë me të dy bashkë, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Rama tregoi edhe se çfarë ndodhi në këtë takim, ku theksoi se ka pasur një komunikim pozitiv mes të gjithëve.

“Mos hyni në trajtimin e këtyre marrëdhënieve si marrëdhënie personale. Këtu nuk ka asnjë personale. Në fakt është hera e parë që unë jam në një darkë së bashku me të dy, Albinin dhe Presidentin Vuçiç dhe nuk më rezulton se ndodhi ndonjë gjë tjetër përveçse u bë një komunikim pozitiv mes të gjithëve. Ashtu sikundër ajo që më rezulton është që ky format dhe këto kërkesa që ka sot BE nga të gjithë ne për të na dhënë mundësinë që të marrim shumë më tepër mbrapsht në aspektin ekonomik dhe financiar flasin vetë për atë që më ka rënë goja këto vite që ne duhet të integrohemi brenda për brenda rajonit që të jemi gati kur të bëjmë një hap më tej në BE. Dhe sot nëse ne do kishim bërë gjërat që mund të kishim bërë në kuadër të Procesit të Berlinit dhe duke shfrytëzuar mekanizmat e Ballkanit të Hapur si një mekanizëm pune për të vënë në jetë direktivat e Procesit të Berlinit, sot do ishim gati, por s’jemi gati sepse kemi humbur kohë dhe kemi humbur energji duke u marrë me terminologji, jo po ky procesi është tjetër, ai tjetri është tjetër etj. etj., gjëra që janë rezultat i mungesës së vizionit strategjik të përbashkët të të gjithë anëtarëve të komunitetit prej 6 vendësh dhe mungesa e dëshirës për të ndarë çështje të brendshme me këtë çështje të madhe që është sa e brendshme aq edhe e përbashkët sepse BE na e ka bërë shumë të qartë që kush do të bëhet shkak do të penalizohet. Do të penalizojë vetveten sepse nuk do të përfitojë dot. Në këtë aspekt besoj që kjo që ka ndodhur këto 24 orë është shumë pozitive, qoftë darka e mbrëmshme, qoftë dita e sotme. Pra kjo duhet ti thotë diçka të gjithë atyre që në vend se të merren me përmbajtje kur bëjnë komente, kur bëjnë kritika, kur bëjnë gjyqe publike që të kuptojnë se asgjë e keqe nuk ndodh nga të takuarit dhe nga të folurit dhe në fund të ditës paqja dhe bashkëpunimi është në interes të të gjithëve, ndërkohë që konflikti dhe ndasia është vetëm në interes të politikanëve për një kohë të shkurtër, jo për një kohë shumë të gjatë”, u shpreh Rama.