Një ndërhyrje delikate në tru është realizuar me sukses tek një pacient 30-vjeçar nga personeli i Shërbimit të Neurokirurgjisë në bashkëpunim me Shërbimin e ORL-së në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Lajmin e ka dhënë ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu, sipas të cilës për herë të parë kryhet një operacion në qendrën shumë delikate të trurit, duke eliminuar ndërhyrjen përmes kokës.
“Për herë të parë në strukturat e shëndetit publik nga bashkëpunimi i ekipit multidisiplinar dhe aparaturave bashkëkohore, kryhet një operacion në qendrën shumë delikate të trurit (regjioni supraselar), duke eleminuar ndërhyrjen përmes kokës.
Pacienti është jashtë rrezikut për jetën, falë punës profesionale e të përkushtuar të ekipit të mjekëve neurokirurgë, ORL e anestezistë, Prof. Artur Xhumari, Dr. Tedi Minarolli, Dr. Myfit Saraçi, si dhe personelit infermieror Ridvana Gjura, Ervin Meta, të cilët asistuan gjatë ndërhyrjes kirurgjikale”, shkruan Koçiu.
Në videon e publikuar nga ministrja Koçiu, Prof.Dr. Artur Xhumari, shef i Shërbimit të Neurokirurgjisë tha se “pacienti është 30 vjeç dhe prej kohësh kishte probleme me shikimin. Arsyeja pse kishte probleme është njolla e bardhë në qendër të trurit. Menduam se do kishim sukses me rrugën nga hunda”.
Dr Myfit Saraçi anestezist theksoi se “ishte një operacion shumë delikat i trurit dhe u krye në bashkëpunim me ORL. Operacioni shkoi shumë mirë pa ndonjë komplikacion specifik”.
Pacienti Oltion Shahinasi falënderoi mjekët për ndërhyrjen.
“Falënderoj Dr.Artur Xhumari për ndërhyrjen e suksesshme, si dhe stafin e Neokirurgjisë”, tha Shahinasi.