Për herë të parë në Shqipëri ekipi i Spitalit “Shefqet Ndroqi” në Tiranë ka realizuar me sukses kirurgjinë minimale invazive koronare MIDCAB, duke ndihmuar tre pacientë të rikthejnë shëndetin e tyre.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu e konsideroi këtë një tjetër hap përpara për mjekësinë shqiptare.
Koçiu u shpreh se “kjo procedurë inovative, e cila kryhet vetëm në 30 % të qendrave kardiokirurgjikale në mbarë botën, është një arritje për sistemin tonë shëndetësor dhe një dëshmi e përkushtimit të mjekëve tanë për të sjellë teknologjitë më të avancuara në Shqipëri”.
Ministrja shprehu mirënjohje për ekipin e mjekëve dhe infermierëve që e bënë të mundur këtë sukses: dr. Shk. Albi Fagu, dr. Ketion Menkshi, dr. Marjeta Bilaj, dr. Anri Gongo, dr. Eliana Shima, Ervisa Kurti, Mariola Ozuni, Inis Disha, Marinela Agolli, dhe Samet Mulaj.
“Me përkushtimin dhe profesionalizmin e tyre, ata kanë ngritur standardet e kujdesit shëndetësor në vendin tonë, duke na bërë krenarë që Shqipëria tashmë renditet mes vendeve që ofrojnë këtë procedurë të avancuar kirurgjikale”, u shpreh ministrja Koçiu.