Për këtë aksident po flasin mbarë mediat e kontinentit të vjetër. Në atdheun e saj, në Rusi, Natalija Fileva ishte e famshme, vlerësohej si pionere në fushën e fluturimeve ajrore. Por një nga gratë më të pasura në Rusi humbi jetën kur avioni i saj u rrëzua në Gjermani.
Ajo po udhëtonte bashkë me babanë e saj, Valery Karachev për në një klinikë luksoze në Hesen të Gjermanisë. Ata ishin nisur me një avion privat nga Kana e Francës për në Gjermani. Babai i saj do vizitohej në klinikë.
Por ata nuk mbërritën. Avioni i tyre, një Epic E1000 u bë copash në ulje. Bashkë me pasaniken dhe babanë e saj, humbi jetën edhe piloti Andrey Dikun.
Por kush ishte milionerja ruse?
Në fillim të viteve ’90, ajo me të shoqin Vladislav blenë një kompani ajrore të falimentuar, të quajtur Sibir. Paratë për të blerë aksione në këtë kompani i morën borxh. Pasi e morën nën kontroll, e quajtën S7.
Sot ajo është një prej kompanive ajrore më moderne të Europës Lindore. Në vitin 2018, Forbes e shpalli Filjovan një prej femrave më të pasura në Rusi. Pasuria e saj: rreth 600 milionë dollarë.
Por edhe pse ishte multimilionere, ajo njihej për stilin e thjeshtë të jetesës.
‘Zonja e hekurt e fluturimeve’ la pas katër fëmijë.
Hetimet për rrëzimin e avionit po vazhdojnë, por karboni dhe plastika janë shkrirë plotësisht duke e vështirësuar punën e hetuesve.
Pas rrëzimit pati një tjetër fatkeqësi. Një makinë patrullimi që po shkonte me shpejtësi në vendin e ngjarjes, u përplas kokë më kokë me një mjet tjetër. Si pasojë humbën jetën një burrë dhe një grua dhe u plagosën tre policë.