Aktualitet “Për krimin e organizuar nuk bashkëpunojmë dot me policinë”, Dumani: Rezulton se...

“Për krimin e organizuar nuk bashkëpunojmë dot me policinë”, Dumani: Rezulton se ka punonjës të përfshirë në nivele të larta

Kreu i SPAK, Altin Dumani ka deklaruar sot se eksponentë të lartë të policisë së shtetit janë të lidhur me krimin e organizuar.

Duke iu përgjigjur pyetjes nëse mungesën e hetuesve mund te zgjidhej duke bashkëpunuar me policinë, Dumani tha se bashkëpunon ngushtë me sektorin e krimit ekonomik dhe të krimit të organizuar, por në raste të caktuara kjo nuk është e mundur.

“Në raste të caktuara, sidomos ato të krimit të organizuar, nuk bashkëpunojmë dot me policinë sepse na rezulton se ka policë të përfshirë dhe është në nivele të larta”, tha Dumani.

Më shumë se sa një raportim, për punën një-vjeçare të Prokurorisë së Posaçme ajo e kësaj të enjte u shndërrua në një mbledhje ku kreu i SPAK renditi përpara KLP disa kërkesa. Krahas shtimit të hetuesve të BKH dhe rritjes së kufirit monetar të korrupsionit shumë më të lartë se 50 mijë lekësh që heton SPAK, Altin Dumani kërkoi një rishikim të statusit të prokurorit të Posaçëm për një mundësi rikandidimi pas përfundimit të mandatit.

Aktualisht prokurorët e Posaçëm kanë një mandat 9-vjeçar. Kjo kërkesë e Dumanit prodhoi debat.

Korrupsioni sipas Dumanit nuk mund të luftohet vetëm nga SPAK. Përveç Policisë së Shtetit ai tha se institucionet e tjera nuk e raportojnë korrupsionin.

Përgjatë 2023 Prokuroria e Posaçme ka sekuestruar 41 milionë euro pasuri të krimit si dhe ka forcuar bashkëpunimin me institucionet partnere si dhe FBI dhe DEA të cilat janë atashuar në SPAK.