Nga Monika Stafa
Shqiptarët nuk kanë rënë ende në një mendje për kuptimin e historisë së tyre. Jo aq për shkaqe shkencore se për arsye të sjelljes shqiptare me historinë.
Thuhet shpesh se historinë nuk e bëjnë shkencëtarët por fitimtarët. Diskutimet mbi historinë e Shqipërisë rikthehen vazhdimisht si çështje të rendit të ditës. Nuk ka rëndësi koha. Ato vlerësohen në cdo stinë. Dhe në çdo stinë sillet një frymë e re.
Deri këtu asgjë e keqe. Në të gjithë historiografinë botërore historianët këtë detyrë kanë. Ta rishohin atë. Ta rishkruajnë sa herë zbulohet një metodologji e re. Sa herë një dokument i ri del prej arkivave. Edhe personale.
E rëndësishme është që fitimtarët të jenë legjitimë. Në çdo fushëbetejë.
Po çfarë ndodh me historinë e Shqipërisë?
Në 33 vite pas rënies së komunizmit historia jonë është rivlerësuar e rishkruar më shumë se disa herë. Dilemat e profesionistëve kanë qenë fatale; të shkruhet nga e para apo të mbahet në konsideratë qoftë dhe pjesërisht ajo traditë historiografie që u themelua në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar?
Të ndryshohet metodologjia e interpretimit të historisë apo të ndërrohen njerëzit që e shkruajnë atë? Të ndryshohen faktet dhe të dhënat apo interpretimi i tyre?
Rezultati parësor i gjithë këtij diskutimi është tronditja e thellë e besimit të shqiptarëve tek historia e tyre. A ka pasur diçka të vlefshme në këtë histori apo gjithçka që është shkruar është thjesht një romantizëm kombëtar i vonuar?
Nuk ka më në historinë e Shqipërisë jo çështje tabu por as figura të shenjta.
Disa herë në emër të çmitizimit, herë të tjera në emër të depolitizimit janë hapur madje edhe problemet e burimit gjenetik të popullit shqiptar e deri tek vlerësimi e rivlerësimi i ngjarjeve të vitit 1991-1992 e këndej.
Në një kohë të tillë të mbushur me gjykime e paragjykime, me tendenca të fshehta dhe të hapura, me konflikte politike dhe diturie në qendrat europiane të studimeve shqiptare janë konsoliduar portretet e albanologëve që kërkojnë, shkruajnë dhe botojnë me përgjegjësi, ngjarjet dhe personalitetet historike shqiptare pa komplekse vetjake dhe politike ndaj çfarëdo kohe e rrjedhe zhvillimi.
Shumë të huaj kanë marrë përsipër të rishkruajnë historinë e Shqipërisë. Perëndimorë veçanërisht.
Larg ndikimeve të politikës së vjetër por dhe asaj të re, ata rezultuan të ishin ndër më objektivët dhe më të besueshmit albanologë për studiuesit dhe publikun. Për fatin tonë të keq.
Edhe pse u është dashur të përballojnë vështirësitë dhe kufizimet e kohës, pamundësinë për të prekur burimet shqiptare, ideologjizimin e historiografisë komuniste ata u munduan të japin me shumë kujdes vlerësime mbi vendin dhe rolin e protagonistëve të historisë sonë.
Ish-mbretin Zog, mbretëreshën Geraldinë dhe E. Hoxhën. Por dhe pikëpyetjeve të tjera të tilla si më poshtë;
Çfarë ishte lufta antifashiste në Shqipëri dhe a ka ekzistuar vërtet një “bashkim personal” i Shqipërisë me Romën fashiste apo një “neutralitet relativ” i saj në kohën e Reich-ut?
Pse dështuan nacionalistët duke ja lehtësuar kështu rrugën e rritjes politike E. Hoxhës kur klasa politike e periudhës së luftës filloi të mendonte për pushtetin dhe jo për çlirimin?
***
Procesi i rivlerësimit të historisë nuk mund të jetë një sfidë vetëm e një grupi të vogël studiuesish. Rishikimi i saj është mirë të organizohet mbi baza gjithëpërfshirëse. Ky duhet të jetë gjithmonë një proces bashkëpunimi më i gjerë historianësh, vendas e të huaj dhe jo punë e një personi të vetëm.
Por po ashtu edhe historianë që ndajnë pikëpamje të ndryshme.
Ky proces është krejtësisht normal dhe i nevojshëm në shkencat historike dhe nuk ndodh vetëm në Shqipëri. Ajo çka është shqiptare është politizimi dhe radikalizmi i tejskajshëm i trajtesave historike dhe deformimi i historisë.
Një nga arsyet kryesore të këtij revizionizmi të tejskajshëm të historisë së luftës është se natyra e luftës së popullit shqiptar kundër pushtuesit ngatërrohet, ose më saktë njësohet, me natyrën e lidershipit të kësaj lufte ose forcës politike që e drejtoi atë.
Pikërisht këto fenomene duhen ndarë nga njëra-tjetra.
Që të mos ndodhë ajo që një brez e mëson historinë e mbretërisë si periudhën më anadollake të jetës së shtetit, kurse një tjetër, përkundrazi si kohën më të lavdishme dhe më të drejtorientuar në historinë e Shqipërisë.