Gjykata e Tiranës ka lënë në burg pedagogun e Universitetit të Elbasanit, Denis Himci, i arrestuar pak javë më parë pas transmetimit të nga emisioni investigativ “Stop”, të një videopërgjimi ku ai i kërkonte studentes raporte intime për të marrë provimet.
Ndalimi i tij u bë fill pas emisionit.
36-vjeçari, pedagog pranë Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan, akuzohet për veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Materialet i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan.
Në video-përgjimet e publikuara nga emisioni, pedagogu dëgjohet t’i kërkojë studentes favore seksuale, ndërsa i thotë se do ta trajtonte mirë, me dhurata, telefona e masazhe të paguar në qendra estetike në Tiranë.
Profesori i thotë studentes se madje ai është i gatshëm, që një kolegeje t’i blejë parfum, që kjo e fundit, t’ia japë provimet. Në videon e publikuar, pedagogu insiston që studentja ta puthë, ndërsa i thotë se nuk i mjafton një puthje në faqe.