Një vit ndryshe!
Dhe secili thyen akujt e një realiteti të prekshëm dhimbshëm, një realiteti shoqëruar me heshtje dhe ndoshta me mosdëshirë për të prekur atë që duhet.
Dhe heshtim!… Heshtim në ditët tona e me përgjumje nuk guxojmë që të mendojmë… dhe veç zgjasim dorën për të hequr edhe një fletë kalendari, paçka se ai dhe të tjerët përpara tij rëndojnë e marrim me vete dëshpërim për atë që ikën e për atë që nuk solli.
E bashkë me muajt, ikin vitet… Dhe secili nga ne uron për një vit ndryshe, me të ardhura të bollshme e me mirësi, me gëzime e realizime ëndrrash, paçka se ky vit mund të jetë po njëlloj, i ngurtë e me xhepat bosh.
Dhe ne presim!… Presim se diçka do të zbresë nga lart e lutjet tona të jenë dëgjuar gjatë bisedës me veten e të na vinë gëzueshëm të plota, qetësisht të arta,… ashtu si mendimet tona të shprehura vetmisë së gjithsecilit.
E kalendari thyhet në ekzistencën e vet, shkërmoqet së prituri e realizuari bindshëm për ëndrrat tona!… E ne vetëm presim. Veç presim për të jetuar e për të heshtur… Presim për të gjykuar gjithësecilin për arritjet e veta, e vështrimet i përplasim ekraneve të televizorëve, për të kapur të parët thashethemin e për ta transportuar kushedi se ku, ndoshta dhe xhepave të atij që më shumë se dje, vuan sot nga pamundësia për të jetuar e për të realizuar dëshirat e veta minimale.
Dhe fletët e kalendarit ikin, e bashkë me to vitet e mundësive të mëdha për një tjetër shans, e, për një tjetër përpjekje për të ndryshuar qoftë dhe diçka në jetën e gjithsecilit.
…Dhe heshtazi shohim veten duke u endur rrugëve e fare pranë dëgjojmë zëra të afërt ose të largët që ankohen e qëndrojnë të ulur karrigeve të shoqëruar me veten e tyre,… me bisedën e tyre të ftohtë, të mbushur me ankesa për vitet qe i lëmë që të ikin kot.
Ah, sikur… dhe çfarë të mendosh me parë… çfarë të shprehësh në fillim?
Nuk e di këtë… As unë e as ti që ngultas po më lexon. Askush nuk e di pse shoqërues kemi heshtjen dhe pamundësinë për të bërë të pamundurën për të kthyer ëndrrat në realitet. E, ja , e gjejmë veten në prag viti tjetër, e prapë shpresojmë pa guxuar të mendojmë se ne mundemi për të guxuar jo në ëndërra, por në realitet. E, ndoshta harrojmë që ne kemi fuqinë që ta ndryshojmë këtë realitet i cili është ulur këmbëkryq te ne nëpër fletë kalendari e pret, pret të na zgjojë nga pamundësia dhe nga përgjumja e viteve ku e kemi futur veten.
Dhe ja, një vit tjetër po afrohet. E vjen me një fuqi tjetër, me një shpresë më të madhe, me një realitet më të bukur.
Vjen e flet për mua, për ty, për atë që na duhet… E tashmë nuk duhet më që të presim. Vetëm fletët rrinë të heshtura në përgjumje e presin të mbushen. Unë jo, as ti. Se ne nuk duhet më të presim. Ne duhet të zgjohemi për një tjetër udhë, me një tjetër fuqi, për një tjetër mundësi…
Një vit tjetër po rend me krahë hapur, për të na përqafuar e për të na siguruar se e nesërmja është më e bukur, vetëm nëse shoqërojmë kalendarët me shanse të reja e me zhvillime mundësish.
Dhe ne rendim të jetojmë për të kapur realizimin e gjithçkaje, atë që veç ne na pret. Dhe ne rendim, se viti tjetër po afrohet bindshëm që ne ta gëzojmë!
EDMIRA XHAFERI
Tiranë, 27 dhjetor 2021