Ambasadorja e Bashkimit Europian në Shqipëri, Romana Vlahutin dhe ambasadori i SHBA, Donald Lu, po vihen sërish në shënjestër të opozitës, pas shfaqjes së tyre publike krah misionit ndërkombëtar që do të ndihmojë në betejën kundër krimit dhe korrupsionit në Shqipëri. Ambasadorja Vlahutin është sulmuar ashpër nga media të financuara nga familja Berisha për shkak të fjalisë së saj se “këtu ka politikanë që shesin atdheun për interesin e familjes së tyre”.
Ambasadori Lu po ashtu po ironizohet për shkak të aksiomës së tij të vjetër të betejës kundër “peshqve të mëdhenj”. Ka gjithfarë ironish, sulmesh cinike dhe një frymë mosbesuese për ta relativizuar betejën e Perëndimit kundër krimit në Shqipëri, edhe pse e rrezikuara e madhe e kësaj beteje mund të jetë vetë qeveria që i ka hapur dyert Perëndimit për këtë betejë.
Të shqetësuar se kush do të jetë “peshku i madh”, opozitarët kanë nisur t’i kërkojnë llogari ambasadorit Lu pse nuk thotë emrin, apo pse nuk e shpall Edi Ramën të tillë.
Kur James Beker vizitoi Shqipërinë në vitin 1991, në fjalimin historik në sheshin “Skënderbej”, tha se “SHBA beson se liria funksionon”. Dhe e ilustroi këtë me fabulën se “është më mirë ta mësosh dikë të peshkojë duke i dhuruar grepa, se sa t’i dhurosh një peshk të gatshëm”. SHBA është duke bërë të njëjtën gjë. Ajo beson tek liria jonë, dhe po na dhuron mekanizmin se si të kapim vetë “peshqit”, qofshin këta dhe të mëdhenj. Është kjo logjika që ndan një shoqëri të politizuar dhe të korruptuar, nga një shoqëri e lirë.
Ndërsa në një shoqëri të lirë perëndimore, ekziston një ligj i pashkruar, se “për të gjetur mafian duhet të ndjekësh paratë”, në shoqëri të korruptuara si kjo e jona, për të kuptuar kush është i frikësuar nga kjo betejë në Shqipëri, ka kuptim shprehja “nëse do të dish kush ndjehet peshk i madh,… ndiq frikën”.
Dhe ata që po rrezatojnë realisht frikë në publik janë pikërisht ata që nëse u besojmë betejave të tyre të muajve të fundit, duhet të ishin të gëzuar. Opozitarët që nuk po lënë gjë pa thënë kundër krimit, drogës dhe korrupsionit, duhet të kishin dalë sot që në mëngjes me lule në dorë të prisnin Task Forcën ndërkombëtare të përbërë nga ekspertë me përvojë në FBI, në shërbimet gjermane, e ato të Bashkimit Europian.
Përkundër kësaj, ata kanë reaguar me nervozizëm ndaj kësaj fushate dhe kanë vënë në qendër të sulmeve, pikërisht diplomatët perëndimorë që po mbështesin këtë aksion.
Beteja kundër krimit, korrupsionit dhe drogës në Shqipëri është një betejë afatgjatë, që nuk ka të bëjë me partitë politike në Shqipëri, por vendimin e pakthyeshëm të Shqipërisë për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian. Kush e ka marrë si shaka këtë mision, duhet të kuptojë se nuk e ka më në dorë të bëjë hapa pas. Kjo betejë mund t’i kushtojë karrierën plot personaliteteve të shumicës në pushtet, por dhe shumë ish- politikanëve tashmë në opozitë, të cilët kanë përdorur pushtetin gjyqësor për të mbyllur paditë ndaj tyre dhe çështje të pahetuara kurrë, siç janë vrasjet e 21 janarit dhe afera të tjera korruptive të ish- qeveritarëve, të mbyllura me presion politik ndaj drejtësisë.
Sot ne nuk e dimë nëse Edi Rama, Ilir Meta, Sali Berisha, Lulzim Basha, Fatmir Mediu, apo dikush tjetër do t’i shpëtojë dot kësaj “site”, por dimë që qeveria e sotme i ka hapur dyert misionit ndërkombëtar të fillojë këtë betejë.
Nuk them se kjo qeveri është e lumtur dhe e qetë për këtë që po ndodh, por është e përgjegjshme dhe po përballet me këtë realitet. Panik si ky që po ndihet në radhët e opozitës për fat nuk po demonstrojnë. Dhe kjo nuk është pak.
Tani e vetmja mënyrë që të kuptojmë se kush trembet nga hetimi i “peshqve të mëdhenj”, është vetëm reagimi ndaj kësaj nisme. Gjurmimi i parave nuk ka nisur akoma. Milionat e koncesionit të skanerave në dogana, ngjyrosjes së naftës etj, janë të regjistruar na parajsa fiskale, nga Panamaja në Zug të Zvicrës, dhe shpresojmë të zbardhen.
Sot për sot shfaqja e frikës, është e vetmja shenjë që na tregon se kush e ka bezdi dhe kush po shqetësohet nga kjo betejë. Se ata, më mirë se ne dhe kushdo tjetër, e dinë se çfarë kanë bërë!