Aktualitet “Për të edukuar një fëmijë nevojitet një fshat i tërë”

“Për të edukuar një fëmijë nevojitet një fshat i tërë”

Edukimi Katolik në Shqipëri-KKEKSH, një rrjet prej 54 institucionesh eduaktive në të gjithë territorin e Shqipërisë, nisur nga “thirrja e Atit të Shenjtë dhe nevojat më urgjente që të jemi një përgjigje sa më cilësore dhe konkrete për fëmijët që frekuentojnë institucionet tona edukative dhe familjet e tyre”, po ndërmarrin iniciativa e veprimtari të hapura për të lidhur ura bashkëpunimi me “të gjithë aktorët që influencojnë rrugëtimin shkollor dhe edukues të fëmijëve tanë me një vizion të botës bazuar në vlera njerëzore dhe të vllazërisë, gjë e pamundur nëse nuk jemi së bashku”.

Në kuadër të kësaj ecjeje, KKEKSH organizon dhe Konferencën Kombëtare për lançimin publik të Paktit Global për Edukimin në Shqipëri me temë:

“Për të edukuar një fëmijë nevojitet një fshat i tërë -Bashkësia Edukative në Shqipëri”

Me 18 Tetor 2021 ora 09.00- 13.00 në Tiranë

Të pranishëm në konferencë do të jenë përfaqësues të institucioneve publike në nivel qendror dhe lokal, Sekretari i Përgjithshëm i Kongregatës për Edukimin Katolik në Vatikan, shkëlqesia e tij Imzot Vincenzo Zani si dhe përfaqësitë diplomatike në vend dhe më e rëndësishmja do të kemi përfaqësues të nxënësve si dhe të aktorëve kryesor me influencë në edukim: prindër, mësues, drejtues të shkollave publike dhe të rrjetit të KKEKSH si dhe përfaqësues të rrjetit Evropian dhe Botëror të Edukimit Katolik, përfaqësues të mediave,  të bizneseve dhe donatorë, organizata ndërkombëtare dhe kombëtare që veprojnë në fushën e edukimit.

Punimet e Konferencës do të zhvillohen si më poshtë:

Pjesa e parë ora 09.30-11.30: Ka në fokus prezantimin e Paktit Global për Edukimin në Shqipëri, vënien në tryezë të çështjeve të përbashkëta mbi edukimin si dhe potencialin e bashkëpunimit të të gjithë aktorëve influencues në edukim.

Pjesa e dytë 11.30-13.00: Ka për qëllim që nëpërmjet një workshop-i të realizojë një diskutim dhe më pas një sintezë, të vizionit, të mendimeve dhe iniciativave qe secili grup interesi do të bashkëndajë për të bërë të mundur nxitjen e iniciativave konkrete për ndërtimin e një Pakt të ri edukativ në Shqipëri.

Shtatë tryezat e punës janë të përbëra nga:

1- Prindër

2- Nxënës

3- Mësues dhe Drejtues institucionesh edukative

4- Mediat në të gjitha format.

5- Institucione qeveritare: Ministria e Arsimit, DPAP, DRAP, Bashkitë

6- Ambasadat, Donatorë, Bizneset

7- Organizma ndërkombëtare dhe Ojf që kanë në fokus edukimit