Nga Bedri Islami*
Të gjithë ata që mendojnë se Edi Rama kësaj here e ka betejën me Lulzim Bashën dhe Kryemadhin, janë të gënjyer. Edhe ata që kanë patur bindjen se Berisha do të përveshë mëngët dhe do të jetë më i pranishëm se kurrë në fushatë, përsëri janë të gabuar. Berisha vetë është në zdërhalljet e tij politike, që nuk janë asgjë tjetër veçse ripërsëritje e një lajtmotivi të njohur, por që tani nuk ka as forcën, as mbështetjen dhe as të panjohurën e duhur në politikë. Edhe në listën e deputetëve të opozitës ai do të futet me forcë, përmes tri përbuzjeve dërmuese; të Lulzim Bashës – Berisha mund të kandidojë ku të dojë, që do të thotë është njëlloj për ne; të ish ministrit të Ekonomisë Ruli – i cili i bëri thirrje haptas të largohet, sa nuk e kanë larguar, dhe në fund, Mustafaj – loajal ndaj rolit institucional, që, duke e mbrojtur si të domosdoshëm, në fakt, në mendimin politik i dha shtysën. Berisha, këtë herë, do të jetë lojtari rezervë, do e ndjekë nga stoli dhe kur të futet në lojë, do të prishë punë.
Tjetër kush ka vendosur të jetë njeriu që ka marrë përsipër të përballojë Ramën dhe këtë, megjithë postin e tij, shpesh herë honorifik, ai po shfaqet haptas, duke lënë në hije gjithë të tjerët. Në secilën ditë të vitit ai shpall kredon e tij për rrëzimin e qeverisë dhe këtë tashmë nuk e fsheh në asnjë çast, i gatshëm të marrë mbi vete gjithçka mbi rolin që i takon.
Treni i votuesve të opozitës mund të kenë vënë në fillesë portretin e Bashës, por në fakt makinisti është një tjetër. Ai quhet Ilir Meta dhe është de jure presidenti i Republikës, i zgjedhur, thuaj përdhunshëm në këtë post nga e majta, që sot është mëria e tij më e madhe, dhe, de fakto shefi real i opozitës në të gjitha përmasat e saj.
Të gjitha çfarë kanë ndodhur deri tani do të duken si lojra fëmijësh ndaj asaj që ka vendosur të përballojë dhe, edhe nëse nuk do të ketë përsëri një miting alla 2 mars, ku sheshin e mbushën pasuesit e Bashës, që menduan se ajo ishte dita e fundit e parlamentit, por flamurin e mori presidenti, që, si asnjëherë tjetër, vendosi të ecë përmes dy rrugëve: ose të bëjë harakiri politik dhe e bëri, ose të trajtojë të gjithë këtë si betejën finale. Dhe ai e ka konceptuar si betejë e jetës së tij. Pas saj ai, ose do të jetë një askush, ose do të jetë njeriu që i ka mundur të gjithë: Nanon, mentorin e tij në vitin 2005, kur e rrëzoi nga pushteti që edhe ai vetë donte të binte, i lodhur sa më nuk ka; Ramën në zgjedhjet bashkiake, kur u vendos në krah të Bashës, duke e ditur se ky nuk do të mund të ishte kurrë rivali i tij politik; dhe së fundi edhe Berishën në zgjedhjet e vitit 2013, kur papritmas u bë njësh me Ramën nxori shpatën nga milli, kërcënoi furishëm dhe kapi rishtas pushtetin.
Për shumë vite, më saktë deri në vitin 2017, ai ishte njeriu i tretë i domosdoshëm i qeverisjes, kandari i së cilës rëndonte nga shkonte vetë ai, ashtu i shëndoshë si ishte, peshë e rëndë dhe muskuloze në politikë.
Me humbjen e peshës, duket se humbi edhe fuqia e tij politike. Viti 2017 e gjeti atë në një gjendje nokdauni, kur do të ndodhte edhe rënia e parë e ndjeshme e forcës së tij. I vetëdijshëm se humbja do të sillte katastrofën, ai hoqi kostumin presidencial, të porsa qepur, rimori rrobat e njohura të LSI-së, nxori rishtas nga “tavanët e vjetër hutat e tij”, dhe si nuk kishte ndodhur vetëm në kohën e Berishës së parë, kërcënoi me luftë.
Mes Ramës dhe Metës ka një histori të vjetër dashuri – urrejtjeje, për të kaluar më pas në urrejtje – dashuri, duke shkaktuar tajfunë politikë kur kanë qenë sëbashku, dhe batica- zbatica gazmore kur ua ka marrë mendja se bëjnë pa njëri tjetrin.
Të bashkuar për të mundur Nanon, herë pas here i janë kthyer përkëdheljes së tij, si ndaj një të keqeje të domosdoshme, që, edhe ashtu, si i përgjumur, mund të zgjonte dreqërit e vjetër të një lëvizjeje politike besnike ndaj shefit dhe të qetë të ditën e votimit. Duke mundur Nanon, që në fakt cinik siç është, e merrte të gjithë këtë agresivitet me sportivitet, e në të njëjtën kohë duke marrë me vete edhe haraçin e mundjes së tij, ata, të dy, e dinin se një ditë do të përballeshin ashpër. Shqipëria ishte e vogël për, dy njerëz që nuk e dinin të qenurit jashtë politikës dhe ku ishin rastësisht bashkë, pas një fillese të kundërt. Rama po bëhej shefi i të majtëve, duke qenë fillimisht i gjithi i ekstremit të djathtë, “dashuri” që ende nuk e ka harruar; Meta po kalonte në prehërin e asaj që quhej e djathtë, kur pikërisht nga ajo do të ishte deputeti i parë të cilit i kërkohej heqja e imunitetit.
Rama e llogarit me kujdes edhe sot e kësaj dite goditjen nën brez të Metës. Meta e ka parashikuar momentin dhe vendin ku mund ta godasë “i gjati”. Një histori e tillë, “me zemra të këputura” dhe “lidhje dashurie ngjalore”, që pak ose aspak ka të bëjë me dinjitetin, është në të shumtën e rasteve përllogaritje pushteti dhe mbijetese.
Rama e di se humbja e tij do të thotë në një mënyrë ose një tjetër edhe fundi i jetës së tij politike drejtuese dhe roli i tij si shefi i madh brenda së majtës do të jetë drejt fundit. Ai e ka llogaritur këtë, por jo gjithnjë hesapet e shtëpisë të dalin në Pazar.
Meta e di, po ashtu, se një fitore e Ramës në mandatin e tretë, më shumë se sa humbje e Bashës, do të jetë humbja e tij. Basha mund të humbasë dhe të largohet pa lënë gjurmën e tij në historinë e PD-së, por kjo nuk do të thotë se të gjitha mëritë, mallkimet e shëmtitë do të bien mbi të. Ndoshta, duke u nisur nga kjo pasvijë, ai po e lë topin e politikës më së shumti në këmbët e Ilir Metës, duke e ditur se, në nëse fitohen zgjedhjet ai do të jetë shefi i qeverisë, dhe, nëse humbasin, ai nuk do të jetë i mallkuari i madh.
Mandati i tretë i Ramës është çmitizimi përfundimtar i LSI-së si pesha e mesit të artë. Ajo do të kthehet në një peshë pupël dhe këtë e di shefi i presidencës. Pas saj mund të ndodhin disa gjëra të frikshme për të, por të mirëpritura për njerëzit. Mund të nisë shkallmimi i politikës së vilave, që do të niste nga Lalzi, vendi i politikës mjerane, i drejtësisë mizerje dhe i korrupsionit fatal, për të shkuar drejt një goditjeje që askush sot nuk e mendon.
Jo më kot, institucione të rëndësishme ndërkombëtare, më së shumti europiane, po këmbëngulin që të nisë goditja e peshqëve të mëdhenj, dhe gjithkush e di fare mirë se është vështirë të nisë shthurja e pëlhurës, pastaj gjithçka rrjedh vetë. Dosjet e dërguara në SPAK, jo vetëm nga institucione vendore do të përbëjnë jo shumë larg gjithë barrën e këtij institucioni. Marrëveshja e fundit mes Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Institucioneve të Drejtësisë, për çka ka pasur këmbëngulje të hershme edhe nga ish kryetari i KLSH, Bujar Leskaj, është po ashtu një tabu që po shembet.
Në vëzhgimin e këtyre institucioneve është pikërisht ky dualitet, mes shefit të presidencës dhe shefit të qeverisë, më shumë se sa ndërmjet shumicës dhe opozitës jashtëparlamentare, se vetëm përmes këtij dualiteti mund të krijohen përplasje të ndjeshme, pasi gjërat që janë vënë në lojë janë të mëdha dhe të rrezikshme.
Si duket, më mirë se të tjerët, Ilir Meta nuk e ka besimin pikërisht tek Basha, si lider i opozitës dhe si njeri, pasi, po aq sa ka peshë të rëndë në këmbë politikën cinike dhe qesëndisëse të Ramës, po aq ka edhe politikën heshtëse të Bashës. Atij i rëndon mospërfillja e tashme e Ramës, por edhe e sëmbon heshtja e Bashës. Ndërsa të parin e njeh më mirë dhe e di se goditja mund t’i vijë në secilin çast ku nuk e ka pritur, për të dytin e papritura mund të jetë me pasoja më të mëdha, si listë e veçantë e opozitës, pa përfshirë në të listën e LSI-së, që ka fituar disa herë deputetë nga tepricat e trenit të opozitës, partive të vogla etj, por edhe drojën se mos, nën ndikimin europian, dy forcat e mëdha politike bëjnë një koalicion të madh, të përkohshëm, katër vjeçar, ku ai do të mbetej në zallin e politikës.
Përplasjet kanë nisur më herët se zakonisht dhe llogaritjet po bëhen më të shpeshta.
Do të kemi një dimër përvëlues dhe një pranverë dimri para vetes.
*Botuar sot në DITA