Kryeministri Edi Rama u bëri thirrje banorëve të Kavajës që të votojnë për Partinë Socialiste në zgjedhjet vendore të 14 majit. Në një qytet që historikisht ka preferuar të votojë për Partinë Demokratike, Rama mori shembullin e një tjetër bastioni “blu” për të treguar se vota duhet të shkojë tek ai që bën punën.
“Shkodra është një qytet i mrekullueshëm, me lumë, me liqen… Por e keni parë si është bërë Shkodra? Kush e ka bërë Shkodrën ashtu? Shkodrën e kanë bërë ashtu vota për ata”, tha Rama.
“Kush ia jep votën atyre i pret vetes biletën për të ecur mbrapsht. Kthehuni dhe shkoni në shtëpi duke ecur mbrapsht. Është e habitshme që akoma ka njerëz këtu në Kavajë që e vënë në diskutim”.
Rama nuk i kurseu batutat gjatë takimit elektoral.
“Nuk do ta shohësh me sy Edi Ramën? Fik televizorin. Nuk e sheh më dot Lalin se të del ditë-natë në televizor, thyeje televizorin! Po ama, të shkosh për të ngarkuar dru dhe të kesh alamet gomerësh këtu si puna jonë dhe të marrësh qenë që të të ngarkojnë drutë, kjo nuk bën vaki. Në vend se të ngarkosh drutë, të hash edhe ndonjë kafshim. Kjo është historia e thjeshtë”, tha ai.
Në Kavajë, Redjan Krali kërkon mandatin e dytë si kryetar bashkie, ndërsa përballë do të ketë kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Fisnik Qosja.