Më shumë se dy muaj pas ekstradimit nga Belgjika në Shqipëri, ka nisur në Gjykatën e Posaçme procesi për kreun e “Klanit Duka”, Leonard Duka.
I njohur në botën e krimit si “Princi Damian”, 37-vjeçari dha shpjegime në cilësinë e të pandehurit në procesin ku akuzohet si porositës i vrasjes së efektivit të policisë Santiago Malko në gusht të vitit 2019.
Duka ka thënë se lajmin për vrasjen e Malkos e ka mësuar në komisariatin e policisë, pasi ditën e ngjarjes është shoqëruar nga uniformat blu së bashku me vëllain e tij, Ervin Duka.
“Ditën e ngjarjes jam shoqëruar nga policia. Aty kam mësuar për ngjarjen. Kam qenë në lokal te biznesi im, në orën 10 mbylla lokalin, duke ikur për në shtëpi më shoqëroi policia. Si çdo ditë tjetër kemi ngrëne drekë me stafin dhe pastaj kam vazhduat rrjedhën. Isha me vëllain, Ervin Dukën në makinë, bëri shenjë policia dhe shkuam në polici”, ka rrëfyer Duka.
Ai ka zbuluar para togave të zeza se Santiago Malkon e ka njohur 15 vite më parë për shkak të shoqërisë së përbashkët, por se nuk ka dijeni mbi aktivitetin e tij.
“15 vjet më parë ndodhi njohja jonë. Para 15 vitesh kam qenë në shkollë, vërdallë. Nga shoqëria e përbashkët na ka ra me e njoh se Shqipëria e vogël është. Jemi nga një zonë, unë jetoja në Fresk, ai në lagjen tjetër. Po të citoj gjithë emrat e lagjes janë 200 veta. Gjithë zonën e njoh, të gjithë njihemi me njëri-tjetrin.”
Duka ka shtuar më tej se në momentin e takimit me Malkon ka qenë prezent edhe i shumëkërkuari i drejtësisë, Ervis Martinaj, i njohur si “Mbreti” i lojërave të fatit.
Referuar raportit të tij me Martinajn, Duka ka thënë se miqësia mes tyre është prishur pas 15 vitesh dhe se nuk i kanë pasur asnjë borxh njëri-tjetrit, por gëzonin respekt të ndërsjelltë.
“Nuk e di me se është marrë Santiago Malko, kisha 3 vjet pa e parë. Kur e takova nuk isha vetëm me të. Shoku i përbashkët ka qenë Ervis Martinaj. E kam pasur shokë prej 15 vjetësh, jemi ndarë në 2017, secili në punën e vet. Por e kam ruajtur respektin për të. Unë kam pasur bizneset e mia, ai të vetat. Edhe ai ka pasur bastet e veta. Nuk e di me se është marrë. Pasi u ndamë nuk e di ç’ka bërë. Nuk kemi pasur asnjë marrëdhënie borxhi. Kur jemi takuar herë të tjera nuk kemi qenë bashkë por me miq të përbashkët. Nuk ua mbaj mend emrat. Jemi takuar nëpër club-e, lokale”, ka rrëfyer Duka.
I pyetur nga prokurori në lidhje me makinat që “Klani Duka” dyshohet se ka përdorur për të kryer ekzekutimin e Malkos, 37-vjeçari tha se ai personalisht lëvizte me një mjet tip “Audi”, por nuk ka dijeni për të tjerët.
“Administratorët e pikave që ishin nëpër Shqipëri, ishim për darkë. Kur u ngritëm, ikëm të gjithë, nuk e di me çfarë kanë ardhur ata aty. Unë kam qenë me “Audin”, nuk e di për makina të tjera. “Volksëagen” nuk e di fare, nuk merrem me makinat që ishin aty. Më pyet për ngjarjen jo për lokalin. Ça lidhje ka kjo? Në 2019 kisha një lloto futbolli, Max Lloto e kisha në pronësi. E kam pas të shtrirë në të gjithë Shqipërinë. Ku e dija unë kush kishte vdekur, aty e mora vesh. Kam qenë para shumë vitesh me të ndjerin, kemi pasur shoqëri të përbashkët. Pasi rregulluan letrat në mënyrë korruptive më shpallën në kërkim. Nuk e di pse jam këtu”, ka deklaruar Duka.
Prokurori Behar Dibra: Po “Skoda Roster” ku e mbanit?
Leonard Duka: Unë po të jap përgjigje për respekt të gjykatës, se ti nuk e meriton.
Prokurori Behar Dibra: Për respekt të së vërtetës. Jo për mua.
Leonard Duka: Ke 6 vjet më ke mbajtur kot në kërkim. Rivelino Mumajesin e njoh.
Gjyqtarja kërkon qetësi, Duka: Ku ta gjej qetësinë gjyqtare me këtë? Ky është i paaftë, më mban prej 6 vitesh në kërkim mua dhe e gjithë fisin tim.
Prokurori Behar Dibra: Babait tuaj i ka ndodhur diçka?
Leonard Duka: Nuk ka pasur baba as fyerje, as goditje, nga askush. Nuk kemi pasur asnjëherë konflikt, as unë as familja ime. Çuna të rinj jemi, jemi zënë, jemi gri, pse ty nuk të ka ndodhur ndonjëherë të zihesh. Kjo punë nuk ka lidhje me ngjarjen, nuk e di sa herë është zënë vëllai im rrugëve.
Sherrin e vëllait, Erlisit, e kam marrë vesh nëpërmjet robve të mi, se isha në Gjermani. Mora vesh që vëllai është zënë për çështje pse më shef. Në dijeni për vëllain më vuri babi. Me vëllain nuk komunikova dot se u fut në burg, pastaj në gjyq.