Presidenti Donald Trump minimizon pandeminë: Nëse do votoni Biden, nuk do të ketë më festa. Replikon Joe Biden: Trump po fyen viktimat e COVID-19
Një numër rekord prej 75 milionë amerikanë kanë votuar para kohe, 50 milionë prej të cilëve me postë, ndërsa vdekjet si pasojë e koronavirusi po rriten në 39 shtete amerikane, me një mesatare ditore prej 800 humbje jetësh në mbarë vendin.
Me këtë ritëm, pritet që pjesëmarrja më 3 nëntor t’i kalojë 139 milionë votat e vitit 2016.
Shuma për garën në Shtëpinë e Bardhë u rrit, pasi në zgjedhjet paraprake morën pjesë kandidatët miliarderë që u vetëfinancuan, si Michael Bloomberg dhe Tom Stayer, por edhe nga grumbullimi rekord i fondeve të Joe Biden.
Fushata e kandidatit demokrat, e cila tashmë ka arritur në 938 milionë dollarë, do të jetë e para fushatë që do të tejkalojë një miliard dollarë në mbledhjen e fondeve.
Trump: Me Biden nuk ka festa
Amerika po shënon shifra rekord të rasteve më Covid-19, e megjithatë presidenti Donald Trump vazhdon të minimizojë pandeminë, dhe u kërkon shteteve të shmangin izolimin.
Ndërsa vijon pa u ndalur fushatën në shtet betejat kryesore, kreu i Shtëpisë së Bardhë u tall me rregullin e mbajtjes së maskës dhe tha së nëse Biden fiton, për amerikanët nuk do të ketë festë falënderimesh e as Krishtlindjesh.
”Nëse votoni për Biden, do të thotë se nuk ka fëmijë në shkolla, nuk ka martesa, Ditë Falënderimesh, Krishtlindje apo 4 korrik. Përndryshe jo do të keni një jetë te mrekullueshme!”, deklaroi Trump.
Biden: Trump po fyen viktimat e COVID-19
Biden replikoi në Delaware, ku edhe hodhi votën e tij. Ai tha se veprimet e Trump ishin fyese për viktimat e COVID-19, ndërsa paralajmëroi se pandemia nuk mund të ndalet me një të shtypur të butonit.
“Edhe nëse fitoj, do të duhet shumë punë për t’i dhënë fund kësaj pandemie. Por premtoj se do të nisim që në ditën e parë të bëjmë gjënë e duhur”, tha Biden.
Demokrati ka një përparësi të qëndrueshme ndaj rivalit republikan, 6 ditë parazgjedhjeve të 3 nëntorit. Megjithatë epërsia mbetet më e ngushtë në një sërë shtetesh, që konsiderohen si vendimtare për garën presidenciale.
Eksperti më i lartë i sëmundjeve infektive, Anthony Fauci, tha për BBC të mërkurën se tubimet politike të Trump do të përhapnin edhe më tej sëmundjen, duke konsideruar pjesëmarrjen masive dhe mosrespektimin e rregullave anti-COVID.