Dora prej bronzi, e një shtatoreje gjigante që portretizon Perandorin Romak, Konstandinin e Madh, është sërish e plotë pas 500 vitesh, pasi një prej gishtave kishte humbur.
Pjesë të shtatoresh 11 metra të lartë ruheshin në “Musei Capotolini” në Romë. Edhe pjesë të tjera të saj janë dëmtuar përgjatë viteve, ndërsa gishti u rikthye pasi u gjet në muzeun e “Luvrit” në Paris. Ai ndodhej atje që prej vitit 1913, por studiuesit e kishin etiketuar si “gisht këmbe” dhe jo “gisht dore”.
Pas një sërë testimesh në vitin 2018 u konfirmua që ishte gishti i shtatores së Perandorit me origjinë ilire dhe të mërkurën, gishti iu bashkua pjesës tjetër të shtatores.
Shtatorja mendohet se është ndërtuar rreth vitit 330 pas erës sonë, por data e saktë nuk është përcaktuar. Pjesë të ndryshme të shtatores ishin të shpërndara në disa vende të Europës gjatë Mesjetës.
Kush ishte Perandori Konstandin?
Konstantini i Madh, ose Konstandini i Madh, ishte një gjeneral dhe sundues i romak, i lindur në Iliri, që ka jetuar në vitet 272 – 337 pas erës sonë. Ai njihet edhe si Perandori i parë i krishterë, pasi caktoi krishterimin si fe zyrtare të Perandorisë dhe ndaloi ndëshkimin e besimtarëve që përndiqeshin deri në atë moment.
Ai u bë sunduesi i vetëm i Perandorisë Romake në vitin 324 pas një sërë luftërash të brendshme dhe pasi largoi nga froni Perandorin e Lindjes, Maxentius. Ai njihet edhe si personi që riemëroi Bizantin në Kostandinopojë, për nder te vetes.
Konstandini i Madh lindi më 27 shkurt të vitit 272, nga një familje fisnike ilire në Naissus të Dardanisë.
I ati i tij Kostanti, ishte në kohën e Dioklecianit njëri prej dy Çezarëve, që mbretëronte në Galinë, Britaninë e madhe dhe Spanjën.
Më 25 korrik të vitit 306 i vdes babai, Konstanti në Jork dhe Konstandini shpallet August (perandor) nga ushtria, e cila përbëhej kryesisht nga ilirë.
Konstandini i Madh ishte perandori i parë i krishterë dhe themeluesi i Kostandinopojës. Vizioni i tij për Romën qytet të përjetshëm që mishërohej në Kostandinopojën jetoi për 1129 vjet. Është shpallur shenjt nga Kisha Katolike. Kisha e Lindjes e konsideron si shenjtorin më të madh.