Në Ditën e Rinisë kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha është rikthyer në Qytetin Studenti për të përkujtuar 8 dhjetorin nga ku nisi beteja për rënien e regjimit komunist.
Sot 34 vite pas rënies së diktaturës komuniste, Berisha teksa solli në vëmendje atë kohë, dhe tha se kjo ngjarje përkujtohet nën një diktaturë të re, duke e shndërruar Shqipërinë në protektorat krimi. Ai akuzoi Soros se donte që PD të shndërrohej në aleate të partisë së krimit siç e cilësoi ai PS-në dhe duke shpallur non grata Berishën.
“Shqipëria sot përjeton një diktaturë që të gjitha pushtetet janë në dorë të një njeriu, të padrinjos shqiptar, që nuk njeh ligj e moral, një diktaturë që zgjedhjet i ka shndërruar në fasadë e farsë dhe ka rikthyer në Shqipëri burgjet e arrestimet politike. Kjo diktaturë që nisi me shndërrimin e Shqipërisë në protektorat krimi ka një moment; që Soros me paratë e tij sulmon familjen si bazë e shoqërisë për të shkonfiguruar identitetin e familjen, kombet, pasi i dha Ramës drejtësi në xhep me reformën e tij tani duhet t’i jepte opozitën dhe të plotësonte sundimin e tij absolut në Shqipëri. Në atë kohë gjykuan që kishte vetëm një pengesë, një politikan gjysmë pensionist dhe ky ishte Sali Berisha që kishte dhënë dorëheqjen 8 vite më parë, por që qëndronte njëlloj si në diktaturën e parë avokat i interesit publik, vlerave themelore të shoqërisë e familjes, interesin kombëtar, ndaj e sanksionuan me qëllimin e vetëm që partia jonë të shndërrohej në aleate të partisë së krimit, PS-së. Merita juaj është kjo që ju u ngritët kundër këtij puçi e grushti shteti. Ju e ndjetë të parët se këtu nuk ishte problemi i një njeriu, por fateve të lirisë e sovranitetit të vendit, vlerave themelore mbi të cilat ndërtohet morali njerëzor për të cilat PD qëndron. Ato orë ato ditë ju u rreshtuan në krahun tjetër të qëndresës kundër puçit, pavarësisht e nga kush vinte, pavarësisht se vinte nga Uashingtoni aleati e partneri më i madh”.
Por sipas kreut të PD-së, perandoria e së keqes siç e quan ai Soros mori fund më 5 nëntor në Shtëpinë e Bardhë me fitoren e Trump, dhe thekson se opozita ka sot mbështetjen më të madhe ndërkombëtare.
“Kombi i madh amerikan bëri mrekullinë e madhe të lirisë më 5 nëntor u dha përgjigje të merituar atyre që kërkonin të ndryshonin identitetin e njeriut. Kjo ideologji mori goditjen përfundimtare në 5 nëntor. Në Shtëpinë e Bardhë rikthehen ato vlera që njerëzit e lirë në të gjithë botën ndajnë njëri me tjetrin. Perandoria e të keqes së Soros ka marrë goditje fatale”.
Ai u bëri thirrje të rinjve të vendosen përballë regjimit sikurse studentët që shembën diktaturën komuniste
“Dhe kjo diktaturë njëlloj si komuniste dorëzohet se nuk ka të ardhme por dorëzohet vetëm nga ju, në momentin kur ju studentët e të rinjtë të vendosen ballë për ballë e dhëmbë për dhëmb me të. Muajin e fundit ju keni marrë mbështetjen ndërkombëtare, më të jashtëzakonshme në tërë historinë tyre, në mbarë botën është denoncuar Shqipëria narkoshteti i parë në Europë, të gjithë pushtetet janë në duart e një njeriu, procesi elektoral është shndërruar në fasadë. Maskat ranë kërkohet nga ne sulm dhe vetëm sulm. Le të ngrihemi ne në lartësinë e idealeve të atyre që shembën diktaturën komuniste për të shembur diktaturën më të keqe që kanë njohur shqiptarët, të krimit drogës e vjedhjes së tyre”.
Ai bëri thirrje për mosbindje civile dhe u shpreh i sigurt për fitoren e zgjedhjeve të 11 majit.
“Ky pushtim me sulmin tuaj do shkrihet si bora para diellit të nxehtë dhe ne do shkojmë në zgjedhjet e 11 majit të sigurt në fitore. Të vazhdojmë mosbindjen civile të vazhdojmë betejën, është radha jonë. Qeveria e PD në programin e saj do ketë të rinjtë shqiptarë shkollimin, punësimin, rolin e tyre. Garantoj se do të bëjmë gjithçka që kjo Shqipëri të rikthehet në Shqipërinë e shqiptarëve”.