Trajneri italian i Kombëtares shqiptare, Edy Reja, në konferencën për shtyp para ndeshjes eliminatore për Botërorin 2022 ndaj San Marinos të mërkurën, iu përgjigj edhe lajmeve se Kamberi është larguar nga grumbullimi pasi nuk u aktivizua ndaj Anglisë.
“Nuk ka asnjë problem në kombëtare, askush nuk është larguar nga grumbullimi për hatërmbetje. Atyre që bëjnë spekulime të tilla duhet t’u vijë turp. Kamberi ka dhimbje, edhe pse grafia nuk nxori probleme, por vendosëm të mos rrezikojmë. Lojtari erdhi në San Marino, por prej këtij dëmtimi nuk do të luajë dhe do kthehet në klub.
Jemi të zhgënjyer pas humbjes me Anglinë, ku edhe pse gjërat nuk shkuan sipas planit tonë, dhe ata kanë lojtarë të mëdhenj. Por jemi të ndërgjegjshëm për forcën dhe kualitetin tonë, për ecurinë në këto kualifikuese”.
Sa i përket ndeshjes ndaj San Marinos, Reja u shpreh se nuk do të bëjë eksperimente për këtë sfidë.
“Me San Marinon nuk do të bëjmë asnjë eksperiment dhe do të hedh në fushë ekipin më në formë. Ata janë një skuadër mjaft e organizuar dhe duhet të jemi të kujdesshëm në kundërsulmet e tyre”, u shpreh Reja.
Ndërsa kapiteni i Shqipërisë, Elseid Hysaj tha se humbja me Anglinë nuk i bëri përshtypje kuqezinjve pasi dihej se do të ishte një sfidë e vështirë përballë tyre, teksa mbrojtësi u shpreh se sfida e radhës ndaj San Marinos është më e vështirë për të.
Shqipëria do të luajë ndeshjen e tretë eliminatore për Botërorin “Katar 2022” përballë San Marinos, në fushën e tyre të mërkurën në orën 20:45.