Carlo Ancelotti është gati të përballet me Chelsean në ndeshjen e parë çerekfinale të Champions: “Ndeshja e nesërme nuk është vendimtare. Por mund të na japë avantazhin për të menaxhuar më mirë ndeshjen e dytë – tha trajneri i Real Madrid në konferencë -. Jemi të emocionuar, duam një natë tjetër magjike në Bernabéu”. Real Madrid e Chelsea kanë sigurisht histori të mbartura nga precedentët e mëparshëm, por kjo do të jetë një ndeshje tjetër. Një ndeshje me shumë kujtime, sidomos për dy teknikët Ancelotti e Lampard, dikur në të njëjtën anë të fushës.
“Ata kanë një ekip të nivelit, por tani nuk po argëtohen. Ndoshta ky motivim i tyre nesër mund t’i shtyjë ata të japin gjithçka. Unë jam i trishtuar për momentin e tyre. Sepse në dy vitet që isha atje, kam kaluar një kohë të mirë, kam kujtime të shkëlqyera. Unë jam një tifoz i Chelsea. Nëse kthehem? Jo, shpresoj që Lampard të bëjë një punë të mirë me ta. Ai ishte një futbollist i madh, ka shumë përvojë ndërkombëtare dhe mund të bëjë shumë mirë edhe si trajner”, shtoi Ancelotti.
Përse të mos përsërisë si trajner ‘mrekullinë’ futbollistike të arritur në vitin 2012 si futbollist? Njëmbëdhjetë vjet më vonë pyet veten Frankie Lampard, që mori vendin e Graham Potter të shkarkuar në pankinën e Chelsea. Një situatë që i kujton kohën kur luante dhe Roberto Di Matteo u bë trajneri i ri i Blues në mars.
Italiani zëvendësoi portugezin Andre’ Villas Boas. Me të erdhën sukseset kundër Napolit dhe Barcelonës (në gjysmëfinale) në Champions. E në fund fitorja e pabesueshme me penallti në finalen e Mynihut, ku Bayern edhe pse luante në shtëpi humbi. Pra, përse të mos shpresojë që, duke filluar me sfidën e dyfishtë në çerekfinale kundër kampionëve në fuqi Real Madrid (edhe Barça, në atë kohë ishte e njëjta), mrekullia do të përsëritet?
“Ka shumë për të bërë, por kurrë nuk i dihet – ishin fjalët e Lampard në vigjilje -. Më kujtohet se parkuam autobusin e ekipit në Camp Nou. E i thamë njëri-tjetrit, se do të shkonim të luftonim për jetët tona. Qendruam fort dhe arritja u përmbush”.