UEFA ka hedhur të dielën shortin për turin e dytë të Women’s Champions League, ku bën pjesë edhe kampionia e Shqipërisë, Vllaznia e femrave. Shorti i ka dhuruar një përballje të bujshme vajzave kuqeblu, që do të sfidojnë në këtë fazë ekipin e njohur të Juventusit.
Ndeshja e parë do të luhet në Shqipëri në datën 31 gusht ose 1 shtator, ndërsa ajo e kthimit në Itali në datën 8 ose 9 shtator. Bëhet fjalë për një ndeshje mjaft të veçantë për Vllazninë që tashmë do të masë forcat me një nga klubet më të fuqishëm në Itali dhe në Europë.
Deri më tani vajzat e Vllaznisë kanë treguar se mund të sfidojnë çdo kundërshtar, pavarësisht emrit apo fuqisë financiare.
Vllaznia e femrave arriti një tjetër sukses pak ditë më parë duke u kualifikuar në fazën “Play-off” të Champions-it pasi eliminoi hungarezët e Ferencvaros pas gjuajtjeve të penalltive. Nëse kalon edhe Juventusin atëherë kampionia e Shqipërisë do të kualifikohet për në fazën e grupeve të Champions, që do të ishte një sukses absolut për klubin kuqeblu.