Barcelona kundër Celta ndoshta “i lau duart” me titullin kampion në La Liga. Veç rezultatit, që nuk ishte i duhuri, ndaj i dha mundësinë Real Madridit të jetë i vetëm në krye të renditjes, me 2 pikë më shumë, ato që shiheshin në fushë në kampin katalanas nuk ishin të mira.
Messi injoron zv/trajnerin
Në një nga pushimet kur lojtarët pinë ujë, “El Partidazo de Movistar” kapi momentin kur Leo Messi, gjatë ndeshjes Celta-Barça, injoroi plotësisht zv/trajnerin e skuadrës, Eder Sarabia, i cili po mundohej t’i thonte diçka argjentinasit.
Kur Messi kupton që fjalët po i drejtoheshin atij, kthehet nga ana tjetër dhe largohet nga grumbulli i lojtarëve.
Sarabia nuk dorëzohet dhe e thërret sërish Messin, i cili kthehet për të lënë shishen nga ku po pinte, por sërish nuk tregon vëmendje të madhe ndaj fjalëve të Sarabias, duke e injoruar sërish, ndërkohë që trajneri Quique Setien nuk flet fare.
Një skenë që tregon qartë marrëdhënien aspak të mirë mes stafit teknik dhe futbollistëve kryesorë të Barcelonës.
Më parë, Luis Suarez u pa që iu drejtua i nevrikosur Sarabias pasi u zëvendësua, ndërsa në deklaratat menjëherë pas ndeshjes, sulmuesi kritikoi trajnerin: “Nuk e di pse po humbim pikë në transfertë. Për këtë punë është trajneri, për të analizuar situatat. Sezonet e kaluara nuk kemi humbur pikë në transferta”.
Barça planifikon shkarkimin e Setien
Barcelona do ta shkarkojë Quique Setien si trajner, përveç nëse rezultatet përmirësohen në mënyrë drastike, çka nënkupton fitimin e titullit të La Liga-s ose Champions-in sezon, ka mësuar “Goal.com”.
Kundërpesha e lojtarëve ndaj tij te Barcelona është e fortë, përfaqësohet nga yje të tillë si Lionel Messi dhe Gerard Pique. Në dhomën e zhveshjes janë kthyer kundër Setien për shkak të konfuzionit me taktikat e tij dhe pakënaqësisë prej komenteve të tij në shtyp.
Katalanasit janë vetëm dy pikë larg kryesuesve të Real Madridit, teksa kanë mbetur të luhen edhe gjashtë ndeshje në kampionatin spanjoll. Në Champions duhet të luajnë ndeshjen e kthimit të 1/8 finale, kundër Napolit, në gusht, pasi kanë barazuar 1-1 në “Sao Paolo”.
Setien nuk ishte zgjedhja e parë, pas shkarkimit të Valverde, me Ronald Koeman dhe Xavi Hernandez në “pole position”, por të dy e hodhën poshtë ofertën e katalanasve në janar. Kësisoji, u emërua 61-vjeçari. Ish-ylli i Barçës, Xavi, tani trajner i klubit të Katarit, Al Sadd, ka pranuar se po përgatitet të menaxhojë klubin e tij të vjetër në të ardhmen. Bordi drejtues në “Camp Nou” mund të përpiqet për ta bindur atë që të kthehet këtë verë. Edhe trajneri aktual i ekipit B, Xavi Garcia Pimienta, konsiderohet një opsion.