Ditët e fundit Albana Vokshi e ka detyruar Lulzim Bashën të ndërpresë mbledhjen e kryesisë duke i kërkuar llogari për shprehjen e thënë përpara gazetarëve se oksigjeni i liderit historik ka përfunduar. “Dua t’i referohem deklaratës suaj të djeshme në lidhje me Sali Berishën. Unë distancohem nga ajo deklaratë e juaja, s’keni folur në emrin tim e as të demokratëve. Nuk jeni ju që përcaktoni kur mbaron koha e Sali Berishës apo nëse i hiqni tubin e oksigjenit”, mësohet të ketë thënë ajo.
Nëse deputetja Vokshi i dha që në ditën e përjashtimit sinjalet se do të gjendej në krah të doktorit, një surprizë ishte mbështetja që ai mori nga kreu i forumit rinor, Belind Këlliçi. Ai organizoi një foltore të dielën me të rinjtë demokratë dhe e shpjegoi atë me faktin se sipas toj, Berisha është i vetmi që po krijon një hapësirë lirie dhe mundësi reflektimi për forcimin e partisë.
Dalja kundër e Këlliçit dhe Vokshit e ka shpënë në 12 vetë numrin e mbështetësve që Berisha ka arritur të ketë deri më tani brenda grupit parlamentar. Deputetët pro Berishës janë: Flamur Noka, Edi Paloka, Tritan Shehu, Oerd Bylykbashi, Albana Vokshi, Bujar Leskaj, Luan Baçi, Luçiano Boçi, Edmond Spaho, Albana Vokshi, Belind Këlliçi dhe Isuf Çela.
Sipas Lapsi.al, që ka skanuar 59 deputetët që ka aktualisht PD-ja në bazë të qëndrimeve publike që kane mbajtur. Gazmend Bardhi, Enkelejd Alibeaj, Grida Duma, Dash Sula, Agron Gjekmarkaj, Oriola Pampuri dhe Ervin Salianji kanë dalë hapur pro Bashës.
Duket sikur pjesa më e madhe e deputetëve po sillen me pragmatizëm dhe frikë për të parë se nga do të anojë peshorja që pastaj të rreshtohen. Afro 30 prej tyre janë neutralë në sytë e publikut dhe zërin e tyre e përfaqësoi më mirë deputeti i Beratit, Tomor Alizoti, i cili u shpreh: “Unë jam me PD-në. As me Bashën, as me Berishën”.