Aktualitet Përcillet për në banesën e fundit pa homazhe poeti Agim Doçi, e...

Përcillet për në banesën e fundit pa homazhe poeti Agim Doçi, e shoqja: Nuk ia dhanë pensionin prej 11 vitesh

Është përcjellë sot për në banesën e fundit poeti i njohur shqiptar Agim Doçi, i cili u nda nga jeta mëngjesin e të hënës, pas një goditje cerebrale.

Ndryshe nga shumë personalitete të tjera, që kanë ndërruar jetë në vendin tonë, për Doçin nuk janë organizuar homazhe nga asnjë prej institucioneve.

Bashkëshortja e tij Yllka Doçi është shprehur se asnjë institucion nuk ka qenë pranë tyre në këto ditë të vështira, ndërsa prej 11 vitesh poeti nuk trajtohej me pension të posaçëm, dhe sipas saj nuk është trajtuar kurrë si e meritonte.

“Nuk u vlerësua sa duhet, i është bërë vrasje politike.  Askush nuk na u ofrua për homazhe, nuk arriti të merrte as pensionin që i ka takuar prej 11 vitesh”, u shpreh Yllka Doçi.

Por pavarësisht braktisjes nga ana e shtetit, edhe në ceremoninë mortore, të shumtë ishin kolegët që i dhanë lamtumirën Doçit.

Kompozitori Edmond Zhulali u shpreh se “Artisti është gjithmonë një opozitar i lindur, siç është Agimi”. I pyetur nëse poetit i kishte mbetur ndonjë peng, Zhulali tha: “Jeta është e shkurtër, Agimi si të gjithë ne kishte pengje. Pengu i tij ishte thënia e të vërtetës. Ka qenë njeriu që ka patur kurajë të falsë hapur dhe pa doreza. Mendonte me gojë, kishte guximin për ta thënë. Ishte vetvetja”.

Ndër të tjera, kompozitori i njohur tha se me Agim Doçin kanë bërë të gjitha zhanret, “por si për mua si për Agimin, pjesa më e rëndësishme për ne kanë qenë këngët për Kosovën, sepse i kushtohen Shqipërisë. Çështja kombëtare, sublime, që shoqëron çdo njeri është gjëja më e rëndësishme”.

Këngëtarja e njohur, Manjola Nallbani, duke folur për mediat, tha se Doçi ishte një poet dhe një njeri unik, që nuk përsëritet më në vendin tonë.

“Humbëm një njeri të veçantë me kontributin e jashtëzakonshëm që ka dhënë me punën e tij sidomos në Luftën e Kosovës. Ishte unik dhe një njeri që nuk vjen më”, tha ajo.

Agim Doçi ishte një prej krijuesve të shumë teksteve të këngëve shqiptare. Në festivalet e këngës ishte fitues i mbi 50 çmimeve, krijues i më shumë se 3.000 teksteve të këngëve që janë kënduar nëpër festivale dhe i kanë rezistuar kohës dhe vijojnë të dëgjohen dhe sot.