Një 28-vjeçare ka përfunduar në spital si pasojë e përdorimit të një bombole me helium. Për këtë ngjarje policia ka shpallur në kërkim një 23-vjeçar, pronar i tabakinos në afërsi të stadiumit “Air Albania që ia shiti të resë.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e të gjitha rasteve të paligjshmërisë, bazuar dhe në kallëzimin e depozituar nga një shtetas, se në një tabakino në afërsi të stadiumit “Air Albania”, vajza e tij kishte blerë një bombol me lëndë kimike helium, dhe pas konsumimit të saj ishte dërguar në spital, menjëherë kanë organizuar punën për vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave përgjegjës dhe kanë ushtruar kontroll në adresën e dhënë. Si rezultat, gjatë kontrollit në tabakinon e shtetasit K. K., 23 vjeç, u gjetën dhe u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 2 bombola me lëndë kimike helium”, tha policia.
Në vijim të veprimeve nisi procedimi në gjendje të lirë edhe për F. P., 53 vjeç, shitës në tabakino.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Tollumbacet me protoksid azoti dhe helium janë kthyer në një shqetësim së fundmi. Ato janë përdorur edhe nga të miturit, por mjekët thonë se këto gazra mund të japin efekte anësore deri në fatalitet që në përdorimin e parë.