Sport Perez sulmon Shqipërinë: Vinicius do kishte fituar “Topin e Artë” pa votat...

Perez sulmon Shqipërinë: Vinicius do kishte fituar “Topin e Artë” pa votat e këtyre katër shteteve

Presidenti i Real Madrid, Florentino Perez, ka folur për herë të parë për “Topin e Artë”, që shkaktoi polemika, për shkak se nuk iu dha Vinicius, por mesfushorit Rodri.

Perez deklaroi se sulmuesi i Real Madrid, do e kishte fituar çmimin prestigjioz, në rast se nuk do të ishin votat e katër shteteve, ku përmend Shqipërinë, Namibinë, Ugandën dhe Finlandën.

Sipas tij, këto shtete, përfshirë edhe Shqipërinë, nuk i dhanë asnjë pikë sulmuesi brazilian, duke ndikuar në votimin për më të mirin.

“Nëse nuk do të votonin gazetarët nga Namibia, Uganda, Shqipëria dhe Finlanda, Vinicius do të kishte fituar “Topin e Artë”. Këto vende nuk i dhanë asnjë votë. Ne duhet të pyesim, se cilat janë kriteret e tyre për sportin.

“Topi i Artë” duhet të organizohet në mënyrë të pavarur dhe votat për këtë çmim duhet të jenë në duart e njerëzve me prestigj, trajnerëve, në mënyrë që të gjithë të kuptojnë se me votën e tyre rrezikohet edhe reputacioni i tyre”, deklaroi Perez.

Kujtojmë se “Topi i Artë” u fitua nga Rodri, mes shumë polemikave, që sollën edhe bojkotimin e ceremonisë nga klubi i Real Madrid.