Kreu i fondacionit “Soros” në Shqipëri, Andi Dobrushi ka reaguar për akuzat e fundit nga qarqe të caktuara politike mbi ndikimin që ka fondacioni në Shqipëri, konkretisht në qarqet politike.
Gjatë një deklarate për mediat, ai theksoi se gjithë stafi është krenar që financon reformën në drejtësi, ndërsa fondacioni është në krye të shoqërisë civile.
Dobrushi tha se fondacioni ka marrë një rol që nuk e kanë marrë të tjerët, ndërsa akuzat janë telenovela përpara mbajtjes së zgjedhjeve për të gjetur armikun e jashtëm.
“Ne jemi krenarë qe jemi përfshirë në krye të shoqërisë civile, si pjesëmarrës në reformën në drejtësi. Është një reformë që mbështetet nga 96 % e popullsisë.
Nuk e shoh të gabuar rolin e fondacionit për t’ju përgjigjur 96% të popullsisë dhe për të marrë një rol që nuk e kanë marrë të tjerët. Në këtë pikë kemi bërë gjënë e duhur, nëse ka dikush që mendon se kemi bërë gabim, le të dalë e ne jemi gati të përballemi me të.
Kemi pasur përfshirje që në momentin e parë, kemi mbështetur financiarisht bashkëpunimin me ambasadën amerikane dhe partnerët evropianë. Mbështetja që fondacioni i jep procesit, e ritheksoj, procesit të reformës, është bërë me një marrëveshje me Kuvendin e Shqipërisë. Të gjitha telenovelat që shohim këto kohë i shtohen argumenteve për të krijuar një fasadë të re përpara zgjedhjeve për të gjetur armikun e jashtëm”, tha Dobrushi.
Ndërkohë më tej ai u shpreh se i gjithë stafi i fondacionit “Soros” është staf shqiptar, ndërsa ka bashkëpunim me ekspertët më të mirë të vendit.
Dobrushi ka shpjeguar edhe rolin e fondacionit në reformën në drejtësi.
“Ne në fakt nuk jemi të jashtëm, jemi të brendshëm, stafi është shqiptar, kemi pasur bashkëpunim me ekspertët më të mirë të vendit, kemi patur një ekspert, ish gjyqtar i Strasburgut që ka qenë pjesë direkte e procesit, (Kristaq Traja) ndërkohë që pjesa tjetër thjesht i jemi përgjigjur komisionit parlamentar të reformës. Në këtë pikë më vjen keq të dëgjosh lloj-lloj shpifjesh dhe situatash sikur ne kemi mbështetur reformën. Unë e kam shpjeguar shumë herë cili është roli i fondacionit në këtë proces, çfarë kemi bërë dhe pse po e bëjmë këtë gjë.
Ne psh u kemi dhënë mbështetje për përfaqësimin ligjor për viktimat e 21 janarit, mbështetje prej 8 vitesh për familjarët e viktimave të Gërdecit, janë gjëra që i kemi bërë me koshiencë sepse kemi parë se ky sistem drejtësie nuk ka funksionuar, nuk jep drejtësi. Fondacioni Soros është fondacion për shoqëri të hapur, jemi krenar për ndihmat modeste që japim. Reforma sot ka hyrë në një fazë zbatimi. Jemi të zotë për të shkruar ligje të mira, problem qëndron tek zbatimi i tyre”, tha ai.
Në përfundim të deklaratës, Dobrushi theksoi se “roli i Fondacionit do të vazhdojë me të gjitha organizatat që janë të interesuar për reformën në drejtësi. Ne nuk kemi fshehur asgjë. Të gjitha dokumentet i kemi në faqen online. Ne nuk jemi armiku, as nuk merremi me teori konspirative. Me vjen keq që ata që akuzojnë nuk kanë patur as kohën ti shohin ato”.