Fjalimi i kryeministrit shqiptar, Edi Rama, në Asamblenë e Këshillit të Europës solli reagime të shumta nga ana e përfaqësuesve të grupimeve të ndryshme politike.
“Në emër të grupit të PPE jam e tronditur, ishte mungesë respekti e kësaj organizatë. Raporti nuk ishte serb apo rus, por i kësaj organizate, i miratuar nga shumica dërrmuese. Sinqerisht kam mbetur pa fjalë. Kam 14 vite këtu dhe nuk kisha dëgjuar kurrë diçka të tillë”, tha Elvira Kovács, përfaqësuese e Partive Popullore Europiane dhe nënkryetare e Parlamentit të Serbisë.
Edhe përfaqësues të tjerë të grupimeve të ndryshme shprehën pakënaqësi ndaj fjalimit dhe kërkuan kohë për të debatuar mbi çështjen.
Kryeministri Rama iu përgjigj duke i thënë se nuk kishte shkuar në Strasburg për të treguar mungesë respekti për Serbinë. “Nuk është e patakt që të ndash fakte. Kolegia serbe është e tronditur, për Serbinë duhet kohë që ta përthithë e jetojë më ketë përpara se të bëjë njohjen e Kosovës. Nuk erdha këtu për t’i munguar respekt Serbisë. Jam krenar ti shërbej së vërtetës. Unë pretendoj se jap të vërtetën e vendit tim që përfaqësoj me krenari. Një koleg i juaji jo anëtar ishte i shqetësuar se një person i zhdukur nga vendi i tij kishte humbur në malet shqiptare dhe mendonte se mund t’i kishin marrë organet”, tha Rama.