A ka përfituar vërtet Shqipëria si një vend tranzit për gazin azerbajxhanas në rrugën e tij drejt Italisë?
Nga Edoardo Anziano dhe Jakob Weizman -BIRN
Në vitin 2017, një firmë lobimi e punësuar nga Partia Socialiste në pushtet e Shqipërisë, foli për përfitimet financiare të përfshirjes së vendit në Gazsjellësin Trans Adriatik, TAP, i cili, tre vjet më vonë, filloi të transportonte gaz nga Shah Deniz II i madh i Azerbajxhanit në Itali, nëpërmjet Greqisë, Shqipërisë dhe detit Adriatik.
Një miliard e gjysmë euro do të investoheshin në Shqipëri gjatë kohëzgjatjes së projektit, duke përfshirë 800 milionë euro vetëm për ndërtimin e gazsjellësit në 2017-2018.
Që nga fundi i vitit 2020, kur gazi azerbajxhanas filloi të qarkullojë, rreth 10 miliardë metra kub kanë arritur në Itali.
Megjithatë, përfitimi për Shqipërinë është i dyshimtë, thonë ekspertët. Shqiptarët që jetonin përgjatë rrugës së gazsjellësit morën një kompensim të vogël, thonë ata, por rezistenca ndaj projektit ishte e heshtur.
Vetëm tani shteti po eksploron mënyra për të përdorur TAP-in dhe për të marrë më shumë gaz, edhe pse Evropa kërkon të përshpejtojë kalimin drejt burimeve të rinovueshme.
“Nuk ka përfitime reale financiare për Shqipërinë nga të paturit e TAP-it”, tha Jenik Radon, ndihmës Profesor i Çështjeve Ndërkombëtare dhe Publike në Universitetin e Kolumbias, ku ai është i specializuar në zhvillimin e burimeve natyrore të qëndrueshëm, zhvillimin e shteteve të vogla dhe përgjegjësinë e korporatave.
Radoni e përshkroi si “absurd” faktin që aktualisht nuk ka asnjë dalje gazi TAP në Shqipëri. “Pa dyshim, kemi ndryshime klimatike dhe duhet të largohemi nga karburantet fosile”, tha ai, “por ata duhet të kishin përfituar diçka.”
“Përfitimi i vetëm është një përfitim i mundshëm politik për t’u lidhur më ngushtë me BE-në, të cilës Shqipëria një ditë dëshiron t’i bashkohet.”
Kundërshtimi në Shqipëri për TAP-in kryesisht i heshtur
Sipas Bankës Evropiane të Investimeve, e cila financoi TAP-in në masën 700 milionë euro, për ndërtimin e gazsjellësit janë blerë rreth 10,200 parcela toke në Greqi, 10,300 në Shqipëri dhe vetëm 200 në Itali. Pjesa në Shqipëri është pak më shumë se 200 kilometra; në Itali, është vetëm tetë km i gjatë.
Një raport i vitit 2017 nga rrjeti i OJQ-ve CEE Bankwatch kritikoi kompensimin e ofruar për shumicën e shqiptarëve përgjatë rrugës si “të papërshtatshëm”; fermerët denoncuan mospërputhje “të mëdha” midis parave të ofruara dhe humbjes së tyre të të ardhurave dhe pronës.
“Kompensimi është aq i ulët, saqë është qesharak”, tha Radon. “Përfitimet që ata marrin janë të gjitha përfitime financiare shumë, shumë afatshkurtra.”
Në vlerësimin e vet mjedisor dhe social të projektit, të publikuar në nëntor 2017, EIB shkroi se procesi i kompensimit ishte komplikuar nga “sistemet komplekse të pronësisë së tokës dhe strukturat sociale”.
Në një raport të prillit 2021, Counter Balance, një koalicion evropian OJQ-sh të zhvillimit dhe mjedisit që monitoron punën e financave të zhvillimit dhe bankave publike, tha se nga të gjitha projektet e financuara nga EIB, TAP ishte ai që kishte marrë “më shumë ankesa për shkelje të rregulloreve dhe standardeve ndërkombëtare mjedisore dhe sociale”.
Por nga 22 ankesa të marra nga EIB në vitin 2017, 21 erdhën nga Italia, ku ka vetëm tetë km tubacion dhe vetëm një nga Shqipëria.
“Në rrugën prej 210 kilometrash ku TAP përshkon Shqipërinë, ka zona shumë të mëdha që janë të banuara, ka situata sociale shumë rurale, të palidhura me mediat kryesore apo lokale”, tha Gianluca Maggiore, zëdhënës i lëvizjes italiane “Jo TAP”.
Kjo është në kontrast me rajonin italian të Pulias. “Është një destinacion turistik, kështu që në itinerarin prej 8 kilometrash gjen mijëra njerëz që janë të mërzitur nga kjo infrastrukturë, qoftë për arsye ekonomike, sociale apo mjedisore”, tha Maggiore për BIRN.
“Prandaj, ekziston kontrasti midis një rajoni që tashmë është shumë në qendër të mediave, dhe një kombi të tërë si Shqipëria, i cili – si në aspektin social ashtu edhe në fushën e shahut gjeopolitik – merret shumë pak në konsideratë.”
Radoni tha se, ndërsa Evropa Perëndimore krenohet me një shoqëri civile shumë të organizuar, “Shqipëria, që vjen nga një sfond shumë i izoluar, nuk e bën këtë.”
“Ne jemi të vetëdijshëm që në Shqipëri, të paktën për sa i përket pronësisë së tokës, ka pasur kundërshtime, por nuk ka pasur absolutisht asnjë zë”, tha Maggiore. Ankesat që u bënë “janë vetëm maja e ajsbergut”.
Rrugë e gjatë drejt gazifikimit
TAP u mbështet nga Bashkimi Evropian si një “projekt me përparësi” për të ulur varësinë e bllokut nga gazi rus, një përpjekje që ka marrë një vrull të ri me luftën e Kremlinit në Ukrainë.
Palët e interesit përfshijnë kompaninë britanike të naftës dhe gazit BP, SOCAR-in shtetëror të Azerbajxhanit, Statoil të Norvegjisë dhe Sëiss Axpo. Për qeverinë e Shqipërisë në atë kohë, kjo ishte diçka e lehtë.
“Në dijeninë time, nuk ka pasur kurrë ndonjë kundërshtim për projektin TAP”, tha Gjergj Bojaxhi, i cili ishte zëvendësministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës në vitet 2005-2007. “Ka pasur shumë lobim nga pala shqiptare që ky tubacion gazi të kalonte përmes Shqipërisë.”
Tirana ia kishte vënë syrin investimeve që shoqëronin këtë projet, si dhe e shikonte gjithashtu si një mënyrë për të diversifikuar burimet e saj të energjisë.
Në vitin 2021, Shqipëria nënshkroi një marrëveshje me gjigantin amerikan të gazit ExxonMobil dhe konsorciumin amerikano-italian Excelerate Energy-Renco për të kthyer një termocentral në rajonin bregdetar të Vlorës në një terminal për gazin natyror të lëngshëm, LNG, në pritje të një studimi fizibiliteti.
Nëse kjo vazhdon, centrali mund të jetë “shumë i rëndësishëm”, tha Lorenc Gordani, një ekspert në fushën e energjitikës, i cili ka punuar si këshilltar në një sërë projektesh në tregun e energjisë në Shqipëri.
“Ai u ndërtua rreth 10 vite më parë dhe nuk është vënë në punë. Tani më në fund është afër vënies në punë dhe mund të shërbejë si një mbështetje për sistemin energjetik shqiptar”, tha Gordani për BIRN.
Ky projekt do të përfshijë ndërtimin e një gazsjellësi nga qyteti bregdetar i Fierit, ku ndodhet TAP, deri në termocentralin në Vlorë, ku do të konvertojë lëndët djegëse fosile në energji elektrike për të ofruar mbështetje për tregun në vështirësi të energjisë elektrike në Shqipëri.
“Pa ditur kushtet e marrëveshjes, opinioni i përgjithshëm është se projekti FSRU së bashku me termocentralin ekzistues të Vlorës dhe kapacitetet e reja potenciale të prodhimit të energjisë elektrike si dhe gazsjellësi Fier-Vlorë janë një projekt shumë pozitiv dhe një zhvillim strategjik në lidhje me sigurinë e furnizimit për Shqipërinë dhe rajonin”, tha Geri Selenica, drejtor ekzekutiv i Qendrës Shqiptare të Studimeve Strategjike.
Ndërsa qeveria po synon që në vitin 2030 Shqipëria të bëhet një eksportues neto i energjisë, kompania shtetërore e gazit Albgaz nënshkroi një marrëveshje në maj për të furnizuar kompaninë më të madhe private të gazit në Bullgari, Overgas, me gaz nga terminali që po ndërtohet i Vlorës.
Një tjetër projekt në punë e sipër është Gazsjellësi Jon-Adriatik, IAP, 511 km i gjatë nga TAP-i në Fierin shqiptar deri në Split në Kroaci, nëpërmjet Malit të Zi dhe Bosnjës dhe Hercegovinës.
“Zbatimi i IAP është padyshim shumë i rëndësishëm për zhvillimin e sistemit shqiptar të transmetimit të gazit pasi ai kalon në të gjithë vendin nga jugu në veri dhe mund të sigurojë kapacitete të bollshme për zhvillimin e mëvonshëm të çdo sistemi të ardhshëm të shpërndarjes së gazit”, tha Selenica.
Por si përshtatet kjo me qëllimin e deklaruar të BE-së për të përshpejtuar kalimin nga karburantet fosile drejt burimeve të rinovueshme?
“Kalimi drejt gazit mund të kontribuojë në ekuilibrimin e përzierjes energjetike në Shqipëri, por kjo nuk është padyshim zgjidhja e duhur në një kohë kur ne jemi pjesë e Axhendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor si dhe mbështetës dhe promovues të Marrëveshjes së Re të Gjelbër”, tha Olsi Nika, një aktivist mjedisor në OJQ-në EcoAlbania me qendër në Tiranë.