Shëndet Përfitimet ushqyese të sardeleve

Përfitimet ushqyese të sardeleve

Disa i duan, disa i urrejnë, por nuk mund të mohohet fakti që sardelet janë të mbushura me lëndë ushqyese.

Këta peshq të vegjël argjendi shiten të konservuar në ujë, vaj, salcë mustarde ose salcë të nxehtë.

Sardelet janë të paketuara të plota, ndryshe nga toni i konservuar ose salmoni, sepse çdo peshk është më i vogël se 25 centimetra dhe lëkura, kockat dhe pjesët e tjera të tij mund të hahen.

Mos lejoni që pamja e tyre t’ju mashtrojë; nëse ju pëlqejnë peshq të tjerë si salmoni apo trofta, ndoshta do t’ju pëlqejë edhe shija e sardeles.

Janë të shkëlqyera si lyerje në kombinim me vezë, mund të hahen me qepë, në sallatë dhe mund t’i përdorni për të bërë mbushje për specat. Këto janë vetëm disa nga mënyrat e shumta për t’i shijuar ato.

Dhe sa të shëndetshme janë sardelet? Revista “Eat This Not That”, zbulon disa mënyrë se si ato ndikojnë në shëndetin tonë.

Ato mund të përmirësojnë shëndetin e kockave

Sardelet kanë në mënyrë natyrale dy lëndë ushqyese kryesore që ndihmojnë në mbajtjen e kockave tona të forta. Kockat e sardeles janë të vogla, të buta dhe të ngrënshme, gjë që është një lajm i mirë edhe për kockat tona.

“Sardelet me kocka janë një burim i shkëlqyer i kalciumit pa qumësht, i cili është thelbësor për shëndetin e kockave”, thotë doktoresha Anja Rosen nga New York.

Një kanaçe sardele ka 27% të vlerës ditore të kalciumit, që është më shumë se një filxhan qumësht. Pjesa më e madhe e kalciumit në sardelet gjendet në kockat e tyre.

Por kalciumi nuk është e vetmja mënyrë se si sardelet ndihmojnë në mbajtjen e kockave tona të forta dhe të shëndetshme; ato janë gjithashtu një burim i shkëlqyer i vitaminës D.

Vitamina D është një vitaminë e tretshme në yndyrë që ndihmon trupin tonë të absorbojë kalciumin. Nëse keni pak vitaminë D, kalciumi që merrni në trupin tuaj nuk do të ketë një ndikim të mjaftueshëm në shëndetin e kockave tuaja.

Peshqit yndyrorë si salmoni, skumbri, peshku shpatë dhe sardelet janë burime të shkëlqyera natyrore të vitaminës D. Një kanaçe sardele ka 22% të marrjes së nevojshme ditore të kësaj vitamine.

Ato japin energji

Së bashku me kalciumin, vitaminën D, acidet yndyrore omega-3 dhe proteinat, sardelet janë një burim i shkëlqyer i vitaminës B12. Një kanaçe sardele ka deri në 343% të vlerës së rekomanduar ditore të vitaminës B12.

Mungesa e kësaj vitamine vërehet më shpesh te të moshuarit, ata me anemi pernicioze (sëmundje që pengon stomakun të përthithë B12), njerëzit me sëmundje të ndryshme të stomakut dhe vegjetarianët ose veganët.

Pamjaftueshmëria e vitaminës B12 mund të çojë në lodhje, gulçim dhe nivele të ulëta të energjisë.

Ndërsa vitamina B12 në sardelet nuk do të na japë një nxitje të menjëhershme të energjisë si, për shembull, kafeina, përfshirja e këtij lloji të peshkut dhe burimeve të tjera të vitaminës B12 në dietë ndihmon shumë me energjinë.