Ish-punonjësja e Kuvendit, Milena Deraj, e cila akuzohet për mashtrim do të qëndrojë pas hekurave për 5 vite.
Ky është vendimi i Gjykatës së Apelit, marrë këtë të enjte, që lë në fuqi një vendim të 30 prillit të këtij viti, marrë nga Shkalla e Parë.
Sa i përket Milena Derajt, ajo akuzohet se i ka marrë shtetasve Hasan, Abedin dhe Shyqyri Verracaku, shumën prej 340 mijë euro, duke iu premtuar ndihmë për të fituar një proces gjyqësor.
Paralelisht ka pasur në polici një denoncim nga vetë Deraj, që akuzonte Verracakët se e kishin kërcënuar duke kërkuar paratë mbrapsht.
Deraj më pas ka deklaruar se nga shuma 340 mijë euro që u kishte marrë për të shpëtuar të akuzuarit nga dënimi me burg përjetë për masakrën e Velipojës, në fakt u detyrohet 225 mijë euro.
Sakaq, gjatë hetimeve është provuar nga hetuesit kanosja ndaj 30-vjeçares dhe për këtë arsye janë shpallur në kërkim Abedin, Shyqyri dhe Hasan Verracakun (babai dhe dy djemtë), banues në Shkodër.
Ish-punonjësja e Kuvendit dhe Bankës së Shqipërisë ka mashtruar po ashtu një prej mikeshave të saj, duke i marrë shumën 230 mijë euro me premtimin për t’i investuar në bono thesari.
Kur mikesha e saj ka kuptuar se Deraj e ka mashtruar, ajo është paraqitur në polici dhe ka denoncuar rastin.