Ylli i muzikës pop Rita Ora, ka bërë një sqarim pas reagimeve për performancën e saj me flamurin e Serbisë në një festival në Hungari.
Rita thotë se e ka pasur të pamundur të shoh qartësisht se cilit shtet i përkiste flamuri për shkak të reflektimit të dritës dhe këtë e ka kuptuar vetëm pas largimit nga skena.
Më tej, Rita thotë se është shqiptare krenare dhe se qëllimi i saj nuk ishte mos respektimi ndaj popullit shqiptar.
“Mbrëmë gjatë performancës në Festival SZIN në Hungari, mu dha një flamur nga një fans. Prej ndriçimit direkt në sy e në skenë, nuk pashë qartë se cilin shtet përfaqësonte flamuri. Sapo dola nga skena, kuptova se ishte një flamur serb e jo hungarez”.
Përderisa i mbështes të gjithë fansat e mi, nga të gjitha vendet dhe kulturat, dua të bëjë shumë të qartë se jam një shqiptare krenare e Kosovës, dhe nuk ishte qëllimi im të mos respektoja trashëgimin time, ose të mërzisja popullin tim ose familjen time”, është shprehur Rita për Klan Kosova.
Këngëtarja me famë botërore ka performuar të shtunën në Festivalin e të Rinjve në Szeged, por gjatë performancës para mijëra adhuruesve, në skenë ishte hedhur një flamur i Serbisë, të cilin ajo e ka vendosur mbi supe, duke nxitur reagime të forta në Kosovë.