Përfunduan sot punimet për krahun e dytë të bypass-it të Fierit, duke e bërë të kalueshëm në të dyja anët për mjetet. Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi ishin sot në inaugurimin e mbylljes të punimeve edhe për anën tjetër të kësaj rruge.
“Sot e dorëzojmë përfundimisht bypassin e Fierit me të gjitha detajet dhe do të kenë akses të gjithë qytetarët dhe automjetet nga të dyja krahët. Një vit më parë në këtë periudhë kalimi u hap vetëm për një krah. Gjatësia e rrugës është 22 km dhe është e kategorisë B, ekstra urban, me limit shpejtësie 120 km/orë. Ditët e para do të jetë i monitoruar me radar trafiku nga Policia Rrugore. Gjerësia e rrugës është 22 m me dy karagjeta, secila me dy korsi”, pohoi ministrja e Infrastrukturës.
Ministrja Balluku theksoi se brenda 2-3 muajve do të përfundojnë punimet edhe për rrugën e Apollonisë në detaje, pasi pjesa kryesore e aksit ka përfunduar.
Këtë javë nis asfaltimi edhe për bypass-in e Vlorës sipas ministres Balluku. Po ashtu ditën e premte do të hapet gara ndërkombëtare për projektin e Tunelit të Llogarasë. “Brenda qershorit hapet gara për ndërtimin e aksit prej 120 km përgjatë gjurmës së “Korridorit Blu”, Milot – Thumanë – Rrogozhinë – Fier, i cili do të lidhet pikërisht me Bypass-in e Fierit dhe do të transformojë qenësisht infrastrukturën rrugore të Shqipërisë turistike”, tha Balluku.