Përfundon epoka “Suning” tek Interi. E përditshmja italiane “Corriere dello Sport” thekson se në mesin e muajit shkurt, zikaltrit do të ndryshojnë pronësi, pas takimit që pritet me “BC Partners”.
Investitorët e rinj kanë nisur nga puna prej fillimit të këtij viti, duke analizuar situatën financiare të klubit. Ndryshimi i pronësisë nuk pritet të vonojë, mbi të gjitha për shkak të kufizimeve që qeveria kineze ka vendosur për investimet e mëdha në Europë.
Tani që vendi aziatik i ndalon shtetasit e tij të shpenzojnë miliona euro në Kontinentin e Vjetër, Suning është i detyruar t’a shesë Interin, edhe pse presidenti Steven Zhang është mjaft i lidhur me skuadrën dhe tifozët.
Opsionet në tryezë janë dy: BC Partners mund të blejë një pjesë të vogël të aksioneve, sa për të krijuar likuiditet për momentin dhe më pas fondi britanik do të merrte pronësinë e klubit në harkun kohor të 12 deri në 24 muaj.
Alternativa e dytë është që BC Partner të blejë menjëherë 51 për qind të aksioneve të zikaltërve dhe të bëhet menjëherë pronar, me Suning që do të kalonte në minorancë. Aksionet e Interit, duke përllogaritur edhe borxhin, vlerësohen në afro 750 milionë euro, ndërsa ndryshimi i pronësisë do të shënonte edhe largimin e Giuseppe Marotta dhe trajnerit Antonio Conte.