Ka përfunduar marrja në pyetje e Ramush Haradinajt në Gjykatën Speciale në Hagë. I pyetur nga gazetarët nëse pret që ndaj tij të ngrihet ndonjë akuzë, Haradinaj theksoi se nuk dëshiron të bëjë parashikime, ndonëse nuk e pret e një zhvillim të tillë.
“Kam pranuar këshillën ligjore që të mos t’i përgjigjem fare pyetjeve. Me këtë obligimet ligjore ndaj Gjykatës janë kryer, obligime tjera nuk kam. Kjo është e tëra që mund të them sot. Nuk ka një materie, përmbajtje, se për çka bëhet fjalë dhe këshilla ligjore ka qenë që të mos hyj në diskutime të tjera por të mbrohem në heshtje. Nuk e di për çka jam ftuar, kanë kërkuar shpjegime për rolin tim në UÇK, por jo diçka konkrete”, ka thënë Haradinaj pasi daljes nga Gjykata Speciale.
“Nuk është detyra ime të bëj kështu parashikimesh, nuk pres aktakuzë”, ka shtuar kryeministri ende në detyrë i Kosovës.
Në Gjykatën Speciale është paraqitur sot edhe Jakup Krasniqi, ish-kreu i Kuvendit të Kosovës. Edhe për Krasniqin ka përfunduar marrja në pyetje.
Prokuroria Speciale, ku po merren në pyetje zyrtarët kosovarë, është një nga dy dhomat e Gjykatës Speciale që trajton pretendimet për përfshirjen e ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime të luftës, gjatë periudhës 1998-2000. Gjykata është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por statutet e saj u lejojnë prokurorëve dhe gjyqtarëve ndërkombëtarë që t’i zhvendosin procedurat jashtë vendit.
Ajo u miratua me ligj në Kuvendin e Kosovës në gusht të vitit 2015-të dhe u bë funksionale në korrik të 2017-ës.