Kishte një karrierë 30-vjeçare në ushtri, Jurgen Conings, një nga ekspertët më të mirë në fushën e lëndëve shpërthyese në Belgjikë, i cili u gjet i vetëvrarë ditën e djeshme, pas një ndjekje të forcave speciale.
Edhe pse i sinjalizuar për bindjet e tij të ekstremit të djathtë dhe raciste, të shprehura edhe në postimet e tij në rrjetet sociale, 46-vjeçari kishte vijuar në karrierën e tij.
Por periudha e pandemisë kishte zmadhuar qasjen e tij kundër asaj që ai e cilësonte si një komplot i organizuar. Në shënjestrën e tij, kishte në veçanti virologët dhe autoritetet shëndetësore që kishin vendosur masa të ashpra për parandalimin e COVID-19.
Conings kishte arritur deri në pikën ku kërcënonte me jetë Marc Van Ranst, virologun më të njohur të vendit, që si pasojë u detyrua të ndërrojë banesën së bashku me familjen, ndërkohë që Conings në 17 maj, u zhduk.
Forcat e rendit zbuluan në disa magazina raketa anti-tank dhe armë të tjera të rënda të mbledhura ndër vite nga ushtaraku, që sipas tyre ishin në gjendje për t’u përdorur.
Kufoma e Conings u gjet në pyllin e Dilserbos, pas një muaj kërkimesh, në Belgjikën lindore, ku sipas autoriteteve ai është vetëvrarë.
Vdekja e tij, gjithsesi, nuk shuan polemikat. Ministri i Mbrojtjes belg, Ludivine Dedonder, ka shprehur hapur shqetësimin e tij për mbështetjen e hapur për Conings, veçanërisht në rrjetet sociale, ku spikasin edhe komentet pozitive nga shumë pjesëtarë të ushtrisë.