Ka përfunduar ndërhyrja kirurgjikale e kryeministrit Edi Rama.
Kryeministria bën me dije se gjendja e tij është e mirë dhe operacioni ka dalë me sukses.
Ndërhyrja përmes metodës së laparaskopisë zgjati rreth dy orë.
Kryeministria njoftoi se pas përfundimit të ndërhyrjes, Rama do të kalojë natën në spital.
Operacioni u realizua nën drejtimin Arben Gjatës, i cili është një nga të pandehurit në dosjen e “Sterilizimit”.
Ndërkohë që Gjata ishte në sallë, në Gjykatën e Posaçme po zhvillohej seanca paraprake, ku Gjata po përfaqësohet nga avokati.
Përveç Gjatës, mjekët e tjerë që kanë marrë pjesë në operacion janë Arben Beqiri, Dritan Rehovica, shefi i anestezi-reanimacionit Krenar Lila, dhe Saimir Kuçi.
“Kryeministri Edi Rama po i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale laparoskopike në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Ekipi mjekësor nën drejtimin e Prof. Dr. Arben Gjata po kryen ndërhyrjen kirurgjikale të hernies inguinale. Pas përfundimit të ndërhyrjes, Kryeministri Rama pritet të kalojë natën e sotme në mjediset spitalore të QSUNT”, njofton Kryeministria.
Rama e paralajmëroi në fund të gushtit se do të operohej sërish për shkak të një problemi shëndetësor. Gjatë një vizite në QSUT, ku u përurua spitali ditor, Rama tha se do të paraqitet sërish si pacient, pasi duhet të kryejë edhe një ndërhyrje, për shkak të një problemi me hernien inguinale.