Ka përfunduar takimi i ditës së dytë ndërmjet dy delegacioneve zyrtare të Shqipërisë e Greqisë në Korçë.
Ndërkohë mbrëmjen e sotme është parashikuar një vizitë e delegacionit grek në Muzeun Mesjetar të Korçës. Për këtë arsye forca të shumta të policisë dhe shërbimet speciale greke ndodhen në qytetin juglindor.
Ministri i Jashtëm grek Nikos Kotzias ndodhet në Shqipëri në një vizitë tre ditore, pas takimeve të Kretës në përpjekje të zgjidhjes së çështjeve të hapura mes dy vendeve.
Takimi i parë mes ministrit shqiptar Ditmir Bushati dhe homologut të tij grek Nikos Kotzias u zhvillua në Kretë, në muajin nëntor. Ashtu si takimi i Kretës, edhe ky i Korçës është tepër hermetik për gazetarët.
Mes palëve ka probleme të hershme dhe të reja, që nga mbajtja në fuqi e ligjit të luftës nga Greqia, çështja çame, apo dhe çështja e kufirit detar mes dy vendeve.
Po ashtu në jug të Shqipërisë ka nisur puna për gjetjen dhe identifikimin e ushtarëve grekë të rënë në luftën e dytë botërore. Në deklaratat e tij në shtypin grek ministri i Jashtëm, Kotzias është shprehur optimist për ecurinë e dialogut me Shqipërinë.
Nga takimi i djeshëm mësuam se po përgatitet një takim i nivelit kryeministror që me shumë gjasa do të zhvillohet në prill mes Ramës dhe Aleksis Cipras.