Kryesore Përfundon tubimi i “Rithemelimit”, Berisha: Ky fillim do shndërrohet në ortek, protestat...

Përfundon tubimi i “Rithemelimit”, Berisha: Ky fillim do shndërrohet në ortek, protestat do përhapen në gjithë vendin

Protesta e “Rithemelimit” është mbyllur pas mbajtjes së fjalës së kryedemokratit Sali Berisha në ambientet e jashtme të selisë së PD-së. Berisha u shpreh i bindur se mosbindja civile do të vazhdojë për shumë gjatë.

Protesta që nisi rreth orës 09:00 të mëngjesit të sotëm jashtë ambienteve të Gjykatës së Lartë ku po mbahet seanca për vulën e PD-së, ka zgjatur rreth 1 orë e 30 minuta duke u mbyllur me shpërndarjen e protestuesve, të cilët destinacion të fundit kishin selinë e PD-së.

Berisha theksoi se protestat do të përhapen në të gjithë vendin dhe përpara institucioneve kryesore në vend, përfshirë dhe kryeministrinë dhe gjykatat.

Sali Berisha: Sot në betejën tonë pa kthim, kundër diktaturës, çelëm një faqe të re. Sot, ne nisëm protestën kundër institucioneve të shndërruara në armë të diktaturës. Kjo protestë, e para në historinë 32-vjeçare të pluralizmit, para gjykatës supreme, Gjykatës së Lartë, e cila ka shënuar me qëndrimet e saj, një tradhti të lartë kombëtare ndaj ligjit, Kushtetutës dhe pluralizmit, shënon vetëm fillimin e betejave tona. Sot, protesta jonë para selisë së partisë së krimit, shënon fillimin e betejës sonë kundër kësaj partie, e cila me të gjithë qëndrimet e saj, e udhëhequr nga Edi Rama është përgjegjëse për dramën e madhe të shqiptarëve.

Edi Rama në krye të kësaj partie, kërkon të zhdukë PD-në, por ne do qëndrojmë dhëmb për dhëmb. Ne jemi të pamposhtur. Protestat tona do përhapen në të gjithë vendin dhe së fundmi do përqendrohen përpara të gjitha institucioneve të krimit, para kryeministrit, do përqendrohen në çdo skaj të vendit për të mbrojtur liritë tona. U jam shumë mirënjohës, keni lënë çdo gjë dhe jeni sot këtu si luftëtarë lirie.

U garantoj se shumë shpejt ky fillim do shndërrohet në një ortek të fuqishëm. Sot ju vratë frikën e shqiptarëve për të protestuar përpara atyre organeve që janë shndërruar në xhelatë të të drejtës dhe ligjit, organe që funksionojnë si në diktaturë me urdhrin e diktatorit, organe që shndërrohen në hanxharë në duart e diktatorit. Fillimi është jashtëzakonisht premtues, fillimi ynë është shpresa e vetme e shqiptarëve.

Sot të gjithë shqiptarët e trembur, të gjithë shqiptarët e strukur, e frikësuar, sytë i kanë te ju dhe vetëm te ju. Natyrisht ne sot fillojmë një kapitull të ri, por ju garantoj ju se forcë në botë që të më ndajë mua nga ju, nuk ka. Çdo minutë, çdo orë dhe çdo ditë, unë do bëj gjithçka që së bashku me ju, të ecim të sigurt drejt fitores.

Edhe njëherë, dua t’u them këtu ju, se besimi që më dhatë ju, unë e pranova, e pranova me dy qëllime më kryesoret. E pranova sepse ju ishit demokratët që donit të qëndronit si opozitë e vërtetë, që donit të qëndronit për idealet tuaja të lirisë, që nuk donit pazare, që nuk donit t’u kontrollonte kush, cilido qoftë ai, mik apo jo mik. Nuk donit në asnjë rrethanë që Shqipëria, opozita, të kontrollohej nga një bandë mafioze. Ndaj ju votuat Sali Berishën.

Së dyti, ju garantoj se ne do ecim drejt fitores. Ju keni konstatuar se ne ndoqëm proceset, ne pranuam të hynim në zgjedhje në kushtet më të pabarabarta. Por donim ta kapnim për fyti hajdutin e votës, armikun e votës, për t’u betuar se nuk do i ndahemi kurrë derisa të qërohet nga pushteti. Ai e kuptoi këtë, ndaj dhe kaloi në masa ekstreme. Por përsëri ju siguroj se do dështojë. Ne nuk mashtrohemi nga Edi Rama. Ne nuk jemi ata të cilët u themi shqiptarëve se me Edi Ramën mund të fitohen zgjedhjet.

Ne u themi shqiptarëve që të rrëzojmë Edi Ramën që të fitojmë zgjedhjet. Të votojnë shqiptarët të lirë. Dhe ne do e realizojmë këtë. Kjo kërkon guxim, kërkon sakrifica, kërkon vendosmëri, por ne së bashku të tillë jemi dhe ju garantoj ju se çdo ditë e më shumë do bashkohen shqiptarët rreth nesh. Fitore, fitore, fitore!