Teksa miliona njerëz po largohen nga Florida përpara mbërritjes së stuhisë, zyrtarët paralajmërojnë se uragani Milton do të jetë “vdekjeprurës dhe katastrofik”.
Si pasojë e uraganit, janë shkaktuar tornado së fundmi në Floridën Jugore.
Guvernatori i Floridës, Ron DeSantis në një deklaratë për mediat ka thënë se shteti po përgatitet për një goditje të madhe, teksa thotë se do e kalojnë këtë situatë të vështirë.
DeSantis shprehet se 51 qarqe janë në gjendje të jashtëzakonshme, por shton se autoritetet janë të përgatitura dhe se ata do të përgjigjen.
Ai ka deklaruar se ka ende shpresë që Milton mund të dobësohet më tej përpara se të arrijë në Florida pasi shprehet se është reduktuar në një stuhi të kategorisë 4 nga Qendra Kombëtare e Uraganeve.
Sinoptikanët paralajmërojnë për shira të rrëmbyeshëm, përmbytje të shpejta, erëra të forta teksa thonë se Milton është stuhia më e fuqishme që ka goditur zonën në rreth 1 shekull.
Presidenti Joe Biden iu ka bërë thirrje të gjithëve të largohen nga Florida pasi ka shtuar se kjo është çështje jetë a vdekje.