Kjo fundjavë ka qenë më e përgjakshmja në protestat kundër Juntës ushtarake në Birmani që ka marrë pushtetin që prej fillimit të Shkurtit në vend.
Mjekët thonë se 10 manifestues kanë humbur jetën, pasi ushtria vendosi të qëllojë me armë ndaj turmave të protestuesve, por aktivistët anti-Juntë thonë se numri i viktimave është shumë herë më i lartë. Me qindra janë të plagosurit e po ashtu mbi 800 të arrestuarit.
Protestat janë shtrirë në qytetet më të mëdha të vendit, në Jangon, Dauei e Mandalai. Ushtria mori pushtetin më 1 Shkurt pas një grushti shteti dhe shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për një vit.
Ushtarët arrestuan edhe kryeministren Aan San Suu Kyi dhe disa pjesëtarë të tjerë të kabinetit qeveritar, pasi u akuzuan për manipulim të zgjedhjeve të Nëntorit, që u bënë shkak edhe për grushtin e shtetit.
Marrja e pushtetit nga ushtria është kritikuar ashpër nga komuniteti ndërkombëtar, Shtetet e Bashkuara Bashkimi Europian, Turqia, etj.