Dy të vdekur është bilanci i aksidenteve rrugore që janë regjistruar këtë të dielë në vetëm 5 minuta diferencë kohore nga njëra-tjetra, në Fier dhe Koplik.
Në fshatin Topojë, përgjatë aksit Fier-Seman një automjet tip “Mercedes-Benz” ka përplasur për vdekje një banor të zonës. Viktima është identifikuar si shtetasi Vladimir Sema, rreth 60 vjeç. Ai është përplasur nga makina teksa po udhëtonte me motomjetin e tij.
Sipas banorëve, automjeti ishte futur në parakalim dhe i bllokoi krahun viktimës, duke e hedhur atë në një kanal pranë rrugës.
“Rreth orës 10:50, në fshatin Topojë, Fier, shtetasi A. M., duke drejtuar automjetin, ka humbur kontrollin dhe ka përplasur motomjetin me drejtues shtetasin V. S.. Si pasojë e përplasjes, shtetasi V. S., ka humbur jetën. Shtetasi A. M., është shoqëruar në Komisariat për veprime të mëtejshme procedurale”, njofton policia.
Banorët e fshatit janë të indinjuar pasi ky nuk është rasti i parë i aksidenteve me pasoja të rënda në këtë zonë.
Ndërkohë, në Koplik viktima është një 66 vjeçar. Rasim Shabaj po lëvizte me motorçikletë në aksin rrugor Koplik-Bajzë kur u përplas nga një automjet.
“Rreth orës 10:55, në aksin rrugor “Koplik-Bajzë”, dyshohet se automjeti me drejtues shtetasin L. M., ka aksidentuar shtetasin R. Sh., 66 vjeç, i cili lëvizte me motomjet. Si pasojë 66 vjeçari ka humbur jetën. Drejtuesi i automjetit, shtetasi L. M., është shoqëruar në Komisariat, nga shërbimet e Policisë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.