Rrugët e Shqipërisë janë përgjakur mëngjesin e kësaj të enjteje. Policia njoftoi fillimisht, se një aksident i rëndë ndodhi në aksin rrugor Milot-Mamurras. Në një taksi udhëtonin 5 persona, shoferi dhe 4 pasagjerë, mes të cilëve edhe 2 fëmijë. Si pasojë e humbjes së kontrollit të mjetit, humbi jetën 56-vjeçarja Prena Gjetani. Të plagosur mbetën shoferi 40-vjeçar, pasagjerja 30-vjeçare dhe 2 fëmijë. Të gjithë ata janë dërguar në spital dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve.
“Si pasojë, ka ndërruar jetë shtetasja P.Gj. 56 vjeçe, e cila ishte pasagjere, si dhe janë lënduar drejtuesi i mjetit me 3 pasagjerët e tjerë, shtetasen A.Gj. 30 vjeçe dhe 2 fëmijë, që ndodhen në spital nën kujdes mjekësor”, thuhej në njoftimin e policisë.
Më pas, do të njoftohej një tjetër aksident i rëndë. Një makinë tip “Benz” që drejtohej nga një 25-vjeçar doli nga rruga dhe ra në një greminë, rreth 100 metra poshtë rrugës. Për pasojë do të ndërronte jetë shoferi. Ndërkohë, pasagjeri që udhëtonte me të, një 19-vjeçar, do të mbetej në gjendje të rëndë dhe është dërguar në spitalin e Tiranës për ndihmë më të specializuar. Aksidenti tragjik ndodhi në Rrugën e Kombit në afërsi të fshatit Kolsh.
“Nga shërbimet e Policisë dhe të Zjarrfikëses është bërë e mundur nxjerrja e trupit të pajetë të shtetasit A. Rr. ndërsa shtetasi Xh. L., është dërguar në spitalin e Tiranës, në gjendje të rëndë shëndetësore. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit”, njoftoi policia për këtë rast.