Bota Masakra në New Orleans: I dyshuari shtetas amerikan, në makinë valëvitej flamuri...

Masakra në New Orleans: I dyshuari shtetas amerikan, në makinë valëvitej flamuri i ISIS

Një shofer ka bërë masakër në lagjen e mirënjohur franceze të New Orleans në orët e para të ditës së Vitit të Ri, duke vrarë të paktën 10 persona. Ai hyri me makinë përmes turmës, përpara se të qëllohej për vdekje nga policia, thanë autoritetet.

Mbi 35 persona u plagosën, pasi sulmi i së mërkurës e shndërroi Rrugën festive Bourbon në një kaos makabër.

FBI-ja po e heton ngjarjen si një akt terrorist. Autoritetet po shqyrtojnë mundësinë e përfshirjes së personave të tjerë në organizimin dhe kryerjen e këtij sulmi.

Shoferi është identifikuar me emrin Shamsud-Din Bahar Jabbar, 42 vjeç, thanë për agjencinë e lajmeve Associated Press gjashtë zyrtarë të agjencive të zbatimit të ligjit, që folën në kushte anonimiteti.

Hetuesit po punonin për të mbledhur informacion shtesë në lidhje me prejardhjen e autorit dhe po hetonin edhe rreth një flamuri të zi të vendosur mbi automjet.

Sipas një deklarate të FBI-së, flamuri është i grupit terrorist Shteti Islamik.

Sipas FBI-së, i dyshuari Jabbar është shtetas amerikan nga Teksasi dhe po hetohen “lidhje të mundshme me organizata terroriste”.

Në një foto të qarkulluar për zyrtarët e zbatimit të ligjit shfaqet i dyshuari Jabbar me mjekër dhe i veshur me rroba kamuflazhi pranë kamionit, pasi u vra nga policia.

I dyshuari Jabbar u vra gjatë një shkëmbimi me armë zjarri me policinë pas sulmit, rreth orës 03:15 të mëngjesit në një zonë të mbushur me njerëz që po festonin ardhjen e Vitit të Ri, tha FBI-ja.

Hetuesit gjetën një pistoletë dhe një pushkë automatike të llojit AR pas shkëmbimit të zjarrit dhe po bënin kërkime në lagjen franceze për pajisje të mundshme shpërthyese, thanë zyrtarët e zbatimit të ligjit.

Agjentja e FBI-së, Alethea Duncan tha se zyrtarët po hetonin për të paktën një pajisje shpërthyese të improvizuar në vendngjarje.

Kryebashkiakja e New Orleans, LaToya Cantrell i përshkroi vrasjet si një “sulm terrorist”.

Kryeinspektorja e policisë së New Orleans, Anne Kirkpatrick tha se shoferi ishte “i vendosur për ta bërë masakrën dhe dëmin që shkaktoi”.

“Ishte një sjellje shumë e qëllimshme. Ky person po përpiqej të shtypte sa më shumë njerëz që të mundej”, tha zonja Kirkpatrick.

Pasi automjeti u ndal, shoferi doli dhe hapi zjarr ndaj oficerëve që afroheshin, tha policia. Oficerët iu përgjigjën zjarrit, duke e vrarë shoferin.

Dy policë u plagosën dhe janë në gjendje të qëndrueshme, njoftoi policia. Krahas tyre janë edhe 33 persona të tjerë të plagosur nga sulmi me automjet.

Zona ku ndodhi sulmi është një destinacion i preferuar për festimet e Vitit të Ri.