Pamje të reja të publikuara së fundmi, tregojnë si po vijon stërvitja ushtarake më e madhe që NATO ka realizuar në 3 dekadat e fundit. Stërvitja e quajtur “Përgjigjja e Ftohtë” përfshin më shumë se 30 mijë trupa nga 28 shtete dhe po zhvillohet në Norvegji, një vend kufitar me Rusinë. Në krye të flotës së NATO-s është vendosur aeroplanmbajtësja britanike “HMS Prince of Wales”. Stërvitja nisi javën e kaluar dhe do të zgjasë plot një muaj.
Norvegjia, e cila është pjesë e NATO-s, ndan gati 200 kilometra kufi me Rusinë dhe “Përgjigjja e Ftohtë” po zhvillohet pak kilometra nga kufiri, ndërkohë që trupat ruse vijojnë luftën në Ukrainë. Javën e kaluar, 4 efektivë të Marinës Amerikane humbën jetën pas rrëzimit të një helikopteri në një qytet norvegjez në rrethin arktik.
Përveç 30 mijë ushtarëve, në këtë stërvitje marrin pjesë 220 mjete fluturuese, 50 anije. Ajo që bie më shumë në sy është se në të po marrin pjesë edhe Suedia e Finlanda, dy shtete që nuk janë pjesë e NATO-s dhe që pas nisjes së luftës në Ukrainë u paralajmëruan nga Rusia që të mos aplikonin për t’iu bashkuar aleancës.