Lulzim Basha thotë se asnjë marrëveshje për zgjidhjen e krizës nuk do të ketë nëse fillimisht nuk ndëshkohen krimi elektoral i vjedhjes së votave.
Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Basha theksoi se audio-përgjimet e reja të “Bild” provuan bashkëpunimin mes qeverisë dhe bandave kriminale.
“Asnjë hap politik, asnjë zgjidhje politike në Shqipëri nuk do të bëhet pa patur në themel të saj ndëshkimin e të gjithë atyre që kanë vjedhur votat e shqiptarëve. Asnjë marrëveshje politike për daljen nga kriza nuk do mund të arrihet, nëse pika numër 1 e saj nuk është ndëshkimi i vjedhësve të votave. Kjo kupolë kriminale do të mbajë përgjegjësi për të gjitha vjedhjet dhe krimet që u ka bërë shqiptarëve. Të gjithë anëtarët e saj do të jenë para drejtësisë së pavarur. Ata që nuk e kuptojnë këtë janë naivë”.
Kryedemokrati Basha paralajmëroi edhe ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj, drejtues policie dhe këdo tjetër, që sipas tij, zbaton urdhrat arbitrarë të Kryeministrit.
“Edi Rama nuk do t’ju mbrojë dot më, nesër do ta provoni në palcë forcën e drejtësisë. Çdo regjim kriminal ka gjithmonë veglat e tij. Sandër Lleshaj është sot vegla më e ftohtë e Edi Ramës. Në misionin e tij për të dhunuar opozitën, për të luftuar popullin, Sandër Lleshaj shkëlqen. Shumë shpejt ai do të mbajë përgjegjësi për sulmimin, dhunimin dhe persekutimin që u ka bërë shqiptarëve për të mbrojtur Edi Rama. Secili prej jush, banditë me dhe pa uniformë që marrin pjesë në shkeljen e ligjit, edhe ju do të jeni në burg shumë shpejt. Në qelinë ku sot është Bardh Spahia, do të jetë nesër njëri prej jush. Të gjithë ata punonjës të organeve ligjzbatuese që janë vënë në zbatim të Edi Ramës do të mbajnë përgjegjësi para drejtësisë nuk do të ketë normalizim politik në Shqipëri pa mbajtur njeri përgjegjësi. Shqipëria ka nevojë për operacion të thellë për të hequr këtë kancer”.