Grupi kriminal prej 15 personash, ku vetëm 6 prej tyre u arrestuan u zbulua nga përgjimet e bisedave që ata realizuan me njëri-tjetrin në aplikacionin “Sky”. Pas informacioneve të mbërritura nga autoritetet e huaja, rezulton se biznesmeni Pëllumb Gjoka porositi disa vrasje tek Behar Bajri. Mes emrave që ai donte të eliminonte është dhe ai Kleant Muasabelliut, pasi ky i fundit e kishte plagosur disa vite më parë. Për këtë krim, Bajri ofroi tre shtetas të huaj për ta kryer dhe Gjoka ofroi shumën deri në 110 mijë euro.
Mirëpo gjatë kësaj kohe, Ervis Martinaj kërkonte të vriste Gjin Boriçin, dhe sipas një marrëveshjeje me Behar Bajrin, ata shkëmbejnë vrasjet.
Sipas SPAK, Gjin Boriçi u vra nga Behar Bajri dhe Denis Brahoviç, ndërsa akuzë për këtë vrasje ka edhe për Pëllumb Gjokën dhe shoqëruesin e tij të arrestuar, Edmond Preka.
Në vrasjen e Gjin Boriçit evidentohet edhe roli i Ardit Hasnabegaj, ish-shefi i krimeve në Shkodër. Ai shfaqet teksa bisedon me Pëllumb Gjokën, ku ky i fundit e pyet për provat e gjetura në vendin e ngjarjes. Ish-efektivi i thotë që kanë gjetur disa prova materiale dhe dyshojnë për gjakmarrje me persona të kollarisur, por Gjoka i shprehet që të mos merret me këtë ngjarje. Përgjimet kanë zbuluar se viktima i kishte sharë dhe këta e kishin masakruar me plumba. Këto biseda janë bërë edhe në aplikacionin Sky. Pas vrasjes së Gjin Boriçit, të dyshuarit i kanë shkuar edhe në varrim.
Ndërkohë për vrasjen e porositur ndaj Kleant Musabelliut janë ngritur akuza ndaj biznesmenit Pëllumb Gjoka dhe Edmond Prekës. Nga përgjigjet, zbulohet se Musabelliu është fotografuar dhe janë dhënë të gjitha informacionet për hyrje-daljet e tij në rrugicat e lagjes ku jetonte. Në një prej komunikimeve, vëzhguesit u shprehen porositësve që kishin zgjedhur një vend të mirë për ta vrarë.
Krahas vrasjes, dhe atentatin ndaj Musabelliut, Prokuroria ka zbardhur dhe dy ngjarje të tjera, në Shkodër. Bëhet fjalë për plagosjen e Taulant Pepajt, ngjarje e ndodhur në shkurt të 2021 ku autor dyshohet Eljo Hato. Ndërsa krimi tjetër ku u tentua të vritet Dorian Duli, Ibrahim Lici dhe Genc Tafili, u regjistrua në vitin 2020. Për këtë krim akuzohen Astmer Bilali dhe ish-polici Ardit Hasanbegaj.
Për megaoperacionin që çoi në qeli 6 persona, emra të rëndësishëm të biznesit, prokurorisë dhe policisë, SPAK ka ngritur 11 akuza. Për ekzekutimin e urdhër-arresteve, policia ushtroi kontrolle në 26 banesa dhe ambiente ku janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale shuma monetare, automjete të ndryshme, telefona, armë zjarri të ndryshme, maska, pajisje elektronike, pajisje elektronike monitorimi (server dhe kamera) me të cilat monitoroheshin ambiente të jashtme në zona të ndryshme të qytetit të Shkodrës.
Gjatë aksionit të Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë u arrestuan edhe dy persona të tjerë, jo pjesë e urdhër-arresteve. Ata u kapën në flagrancë me armë pa leje.
Klan News