Aktualitet Përgjimet e Antimafias, reagon ambasadori italian

Përgjimet e Antimafias, reagon ambasadori italian

Ambasadori italian në vendin tonë, Fabrizio Bucci reagoi mbrëmjen e kësaj të hëne për përgjimet e Antimafias italiane mbi organizatën mafioze Ndragheta, përgjime që kanë shkaktuar akuza të ndërsjellta në Shqipëri, mes mazhorancës dhe opozitës. Në një koment në Twitter, Bucci thotë se Shqipëria dhe autoriteti gjyqësor shqiptar kanë mbështetje maksimale të Italisë.

“Italia është e, do të jetë gjithmonë, përkrah institucioneve të Republikës së Shqipërisë në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Mbështetje maksimale autoritetit gjyqësor shqiptar për shqyrtimin e plotë të çdo episodi të korrupsionit apo të paligjshmërisë, nga cilido qoftë kryer dhe prej ngado rrjedh. Le t’i lemë gjyqtarët të kryejnë në paqe punën e tyre, me qetësi e në mënyrë të pavarur. U përket atyre të dallojnë faktet nga fjalët”.

Bucci thotë se polemikat janë të padobishme dhe bën thirrje që të gjitha palët të angazhohen në luftën ndaj krimit dhe korrupsionit përmes sjelljeve të duhura.

“Polemikat e padobishme e të instrumentalizuara asnjëherë nuk ndihmojnë në verifikimin e së vërtetës. Të gjithë duhet të angazhohen në luftën ndaj krimit dhe korrupsionit përmes sjelljeve të duhura. Kush do ta bëjë këtë do të ketë përherë mbështetjen e Italisë”.