Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nisur hetimet kryesisht, pas përgjimeve të publikuara nga prokuroria italiane dhe mediat, lidhur me komunikimet e klanit mafioz italian Ndrangheta. Sipas SPAK, hetimet për këtë çështje kanë nisur më 25 hanar.
Hetimet nga Italia u kryen nga Prokuroria Antimafia e Catanzaros në Republikën e Italisë dhe hedhin dyshime në lidhje me përfshirjen e shtetasve shqiptarë dhe të huaj, në aktivitete kriminale në Shqipëri. Prokurorët e Prokurorisë së Posaçme kanë zhvilluar sot një takim koordinativ me homologët italianë që lidhet me objektin e hetimeve.
Takimi u realizua nën drejtimin e Federico Cafiero de Raho, Drejtues i Prokurorisë Kombëtare Antimafia dhe Antiterrorizëm, në Itali dhe drejtuesit të SPAK, Arben Kraja. Ky takim u zhvillua me qëllim që mes Prokurorisë së Posaçme dhe Antimafias italiane të ketë një bashkëpunim të frytshëm përsa i përket këtyre dy procedimeve.
Prokuroria e Posaçme ka nisur hetime për 5 vepra penale. “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, janë akuzat e ngritura nga ana e SPAK.