Dalja në dritë e përgjimeve të SKY ka zbuluar një anë të panjohur deri dje të Erzen Breçanit. Një polic i guximshëm i RENEA-s, pjesëtar në operacione të rrezikshme, dikur Erzen Breçani kishte vënë jetën në rrezik për t’i shërbyer shtetit.
Ai ka treguar vetë se si pjesëtar i RENEA-s, dikur ndiqte Zani Çaushin, godiste Gazment Brrakën, arrestonte Nehat Kullën, apo shoqëronte Emiljano Shullazin në polici.
Por përgjimet nxorën një fytyrë tjetër të Breçanit. Në dosjen e SPAK del njeriu që kishte miqësi me vrasës të rrezikshëm siç ishte Bujar Ajeti apo Nuredin Dumani. Për hir të kësaj miqësie, Breçani kishte pranuar të nxirrte informacione policore. Në këmbim pranonte edhe dhurata si telefoni me SKY që dikur kishte përdorur Dumani.
Përgjimet kanë zbuluar, se Breçani ishte në dijeni të përfshirjes së të birit në trafikun e kokainës. Eralb Breçanit disa herë i kërkonte të kishte kujdes dhe të tërhiqej nga puna që bënte, por në anën tjetër merrte paratë.
Në dosje ka disa momente kur Breçani, paralajmëron të birin për informacionet që merrte nga policia, apo kur informon Bujar Ajetin për problemet që mund të kishte me përgjimet e SHISH dhe të policisë. Lapsi.al ka përmbledhur disa prej këtyre momenteve.
Breçani paralajmëron të birin për zbërthimin e SKY ECC
Në dosje është zbardhur biseda e djalit të Erzen Breçanit me pjesëtarët e tjerë të grupit, në të cilën ai thotë se i ati ka mësuar se në Shqipëri kanë ardhur dosje të përgjimeve të SKY ECC.
“Plaku mka thën para dy javësh. Kanë ardh dosje në Shqipëri për disa persona dhe shqiptar nga vendet latine Europa dhe Anglia shumë. Po hetohen shumë persona. Dhe vetëm për kto sky prz”, thotë Eralb Breçani.
“Ishalla bijem një sektor të gjithë bashkë të bajm muhabet”, vazhdon ai duke bërë shaka për rrezikun e zbulimit dhe burgosjes.
Biseda është e janarit të vitit 2021, ndërsa dy vite më pas SPAK goditi grupin duke bërë realitet atë që parashikohej me shaka mes tyre.
Breçani për mundësinë që Ervin Mata të jetë i infiltruar i policisë
Ervin Mata është njohur deri tani si ish-i dashuri i Elvana Gjatës dhe si një nga njerëzit që kryente transport të kokainës nga vendet e Amerikës Latine në Evropë, por për Erzen Breçanin, Mata është edhe një i infiltruar i policisë në grupet kriminale.
Kështu del në një bisedë të përgjuar të SKY ECC kur Erzen Breçani bisedon me të birin Eralbin, të cilin e këshillon të ketë kujdes kur flet me kunatin e tij, Ervin Matën.
“Erzen Breçani i tregon të birit në vazhdim si të komunikoj me Ervin Matën dhe si të flasë në takim duke i dërguar mesazhet: ‘….Nuk merrem thuej me asgja. Baba e mixht e mij i kan ba tre miljon euro për pes vjet, e na kan majt me lek, me shpia, me pun të pastër, dhe un do jem i zoti me i ba tre miljon euro me mixhen tem pa drog, pa pun te pista, kaq asht e vërtet dhe thuja në mes tanve….Mos fol gja në sy të tij pun droge e gjana se asht i infiltruar i policis në grupet kriminale se kam pyet qysh herën e parë…”.
Nga këto tekste të dërguara nga Erzen Breçani krijohen dyshime se ai është në dijeni të aktivitetit që ushtron Eralbi Breçani, kur shkruan “mos fol gja në sy të tij për punë droge…”.
Informacionet për vrasësin me pagesë Bujar Ajetin dhe Nuredin Dumanin
Erzen Breçani akuzohet se ka ndihmuar vrasësit me pagesë Nuredin Dumani e Bujar Ajeti për t’i shpëtuar arrestimit, duke u dhënë informacione për operacionet e policisë.
Në dosje prokurorët shkruajnë se “dyshohet se ai ka konsumuar veprën penale të parashikuar nga neni 302 i Kodit Penal, duke i dhënë informacione shtetasve Bujar Ajeti si dhe Nuredin Dumani në mënyrë që këta shtetas t’i shmangen arrestimit nga policia gjyqësore. Një nga elementët e veprës ana objektive, është edhe “çdo mënyre tjetër me qëllim që t’i shpëtojë kërkimit, kapjes ose arrestimit…” ku informacioni i dhënë nga shtetasi Erzen Breçani është nje nga mënyrat që ka ndikuar që shtetasit Bujar Ajeti dhe Nuredin Dumani të shmangin komunikimet dhe të shmangin çdo lëvizje që do të mund të sillte arrestimin e tyre”.
Madje në njërin rast, Breçani kishte informuar Ajetin se në një lokal në Kukës ishin vendosur përgjues dhe Ajeti kur ka parë informatorët e policisë aty pranë ka nisur t’i shajë dhe kërcënojë.
“Me datë 19.09.2020 në orën 12:09:51, Ismail Zeneli kontakton CC4RE2 dhe e njofton që aparatet telefonik të kriptuar me CHIPHR kanë mbërritur në Tiranë dhe janë në regjim doganor, bashkëlidhur i dërgon edhe fotografi të mandatit të dërgesës me postë ku marrës është Bashkim Sadria. Shtetasi Ismail Zeneli dërgon mesazhet: “…O mik si tkam nuk te kam than gjo se te prit ha sot ha neser per tel…I ka bllokue dogana mik…E per at pune…Smund te kam than gjo…Jan tel ne shipni o mik po i ka majt dogana…”
Në orën 16:31:56, CC4RE2 komunikon me përdoruesin V40G80 duke i dërguar mesazh zanor dhe i tregon rreth një ngjarje që ka ndodhur këtë ditë, ku shtetasi Bujar Ajeit ka ndaluar funksionar të agjencive ligjzbatuese dhe i ka kërcënuar.
Ai në mesazhe shkruan: “…Erdh ai Luani po pra, për kry të fëmijëve i thash ti qi fmi e ça ke do ta thej kapak e kreve i thash, robqir, e ke bo i dom i thash e di mirë ku e ke bo i thash po mos kujto se, jo unë kam letra për amerikë tha, mi gëzosh ato letra thash deri atëherë ku i dihet thash……. .qe kon ai Luan Elezi i Shikut me to, atëherë gjasme kishte hap kofanon sikur po ishte tu i shit makinën me i hotel ai Luani mtrrtrr, me të i thash hë më ça bone u lodhe a mirë, aaa ça je tu bo i tash,hiç vlla ja kena kohë, po ti prej ka je më i them ktyne, mos prej Tirane, thash o Luan po çdeshe kshu motërqimash ti,se kam për të ja u qi gratë thuj i ash, o ai u çu, o ti qi motrën tash mos e hap gojën hiç thash, s’lash gjo pa i thon robqira thash….”. V40G80 i kthen përgjigje me mesazh zanor në orën 16:34:11: “me kë ke, ke me Lulin, pate Lulin me vete ëë…?”
Lidhur me këtë episod, veprimet e shtetasit Bujar Ajeti përshkruhen edhe nga shtetasi Nuredin Dumani në deklarimin e datës 17.10.2023.
Rreth përgjimit që i kanë bërë Bujar Ajetit, jep të dhëna edhe Nuredin Dumani në deklarimin e datës 17.10.2023 ku ndër tjera deklaron: “…Po ashtu, kam takuar edhe Erzen Breçanin, 2 apo 3 herë në Kukës në një bar restorant në qendër të Kukësit. Erzeni me sa më kishte fol Bujari, ishte shok i ngushtë i tij pasi kishin punuar edhe bashkë në polici në repartin Renea. Erzeni e ndihmonte Bujarin me informacione në rastet kur policia vinte në Kukës për të arrestuar Bujarin apo persona të tjerë, pasi vetë Bujari ishte në kërkim për arratisje nga burgu në Maqedoni. Kujtoj një rast që Erzeni erdhi në Kukës shumë i shqetësuar, pasi i kishte rënë në dorë një përgjim i bërë i cili ishte në pronësi dhe në bisedën e përgjuar midis Bujar Ajetit (Gjermizit) dhe Erzen Breçanit edhe personave të tjerë, ishte përmendur emri i tij.
Ky përgjim ishte bërë nga njësi operacionale e policisë së shtetit. Erzeni me Bujarin u sqaruan dhe Erzeni i tregoi që e kishte sqaruar si situate dhe i ka thënë Bujarit që mos të zhvillonim biseda tek bar “Stani ”dhe në telefona pasi ishi në përgjim. Kjo rezultoi e vërtetë pasi disa ditë më vonë, Bujari ka kapur dy punonjës policie tek Bar Stani të cilët po vëzhgonin. Personat nuk ju prezantuan si policë, por Bujari i kuptoi pasi ato po hiqeshin sikur po shisnin një makinë në Kukës, ku vetë ishin nga Tirana. Bujari e pati qëlluar njërin prej tyre me shpullë….”
Ky fakt i përmendur nga shtetasi Nuredin Dumani, është i besueshëm pasi në mesazhin zanor të dërguar nga Bujar Ajeti me datë 19.09.2020 në orën 16:31:56 me përdoruesin V40G80 përmendet një rast ku shtetasi Bujar Ajeti ka patur konflikt me disa persona që po hiqeshin sikur shisnin një mjet.
Me datë 17.08.2020 në orën 12:41:14 përdoruesi Nuredin Dumani komunikon me CC4RE2 dhe pasi është vënë në dijeni që telefonin do e marri Erzen Breçani, i dërgon edhe kodin e hapjes të telefonit si dhe kodin e hapjes së aplikacionit SkyECC. Ai dërgon mesazhet: “…Ok… Ta gezojn…Kodin e ka… Cimicimi…Dhe te parin dhe dytin…Qa bome… mbështetet edhe në deklarimin e Nuredin Dumanit, datë 17.10.2023 ku ndër tjera “…Dua të shtoj, duke qenë se Erzeni kishte informacion nga policia në lidhje me aksionet që bënte policia, Bujari më kërkoi që ti jepja një telefon me SkyECC Erzenit që të na informonte për lëvizjet që do bënte policia për llogari time. Unë bleva 3 telefona me SkyECC dhe njërin ja kam dhënë në prani të Bujarit shtetasit Erzen Breçanit. Periudhën nuk e kujtoj se kur ja kam dhënë telefonin Erzenit. Me Erzenin unë nuk kisha kontakt në SkyECC, por ai kishte kontakt me Bujarin. Pagesën e telefonit e kisha bërë unë….”./Burimi: Lapsi.al